Zgjedhjet e parakohshme dhe zgjimi politik në Luginë

0
326

Paralajmërimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, ka zgjuar menjëherë nga “gjumi” skenën politike në komunën e Bujanocit. Kjo lëvizje ka nxitur reagime dhe mobilizim jo vetëm te subjektet politike shqiptare, por edhe te ato serbe dhe rome.

Edhe pse ende jo në mënyrë formale, tashmë ka filluar të flitet dhe të shkruhet gjithnjë e më shumë në emër të subjekteve politike dhe interesave partiake, e më pak në emër të interesit të përgjithshëm qytetar. Në prapaskenë ka nisur mobilizimi i brendshëm partiak, ndërsa së shpejti pritet edhe aktivizimi i hapur politik.

Subjektet politike kanë filluar të marrin iniciativat e para: verifikimin e militantëve – nëse janë “në vijë” apo jo, identifikimin dhe klasifikimin e tyre, si dhe evidentimin e kërkesave dhe pritshmërive. Ky proces fillimisht po zhvillohet në mënyrë joformale, kryesisht nëpër kafene, për të kaluar më pas në faza më të strukturuara dhe zyrtare.

Situata bëhet edhe më e ndërlikuar dhe më dinamike duke pasur parasysh faktin se për muajin tetor janë paralajmëruar edhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH). Kjo ka shtuar dukshëm euforinë dhe temperaturën e hershme të fushatës zgjedhore.

Tashmë është e qartë se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë pjesëmarrës në dy procese të rëndësishme zgjedhore: ato parlamentare në Serbi dhe zgjedhjet për KKSH-në. Megjithatë, mbeten të hapura dilema kyçe: cila do të jetë skema e konkurrimit në zgjedhjet parlamentare, kush do t’i prijë listës, a do të ketë koalicion brenda listës dhe, mbi të gjitha, a do të paraqiten shqiptarët me një apo me dy lista zgjedhore.

Një situatë e ngjashme pritet të shfaqet edhe në zgjedhjet për KKSH-në, përfshirë edhe ndikimin e ndërsjellë mes këtyre dy palë zgjedhjeve brenda faktorit politik shqiptar. Mbetet për t’u parë nëse do të përsëritet përvoja e mëhershme apo nëse do të ketë një qasje të re politike.

Përgjigjja ndaj kësaj dileme varet kryesisht nga vetë subjektet politike, interesat e tyre, por edhe nga kandidatët potencialë që synojnë pozicionet e para në lista – pozicione që, si zakonisht, përcaktojnë jo vetëm rezultatin zgjedhor, por edhe drejtimin politik pas zgjedhjeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here