LPD–PDSH, PD–LR, PVD dhe APN pritet të garojnë me katër lista për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Dy kandidatë rikthehen në garë, Musliu synon për herë të parë drejtimin e institucionit, ndërsa Rexhepi kërkon vazhdimin e mandatit.
Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës po afrohen, ndërsa me përfundimin e afatit për dorëzimin e listave zgjedhore, gara pritet të zhvillohet mes katër subjekteve politike, me katër kandidatë për drejtimin e këtij institucioni.
Sipas informacioneve të deritanishme, shqiptarët e Luginës do të përfaqësohen në këtë garë nga koalicioni LPD–PDSH, koalicioni PD–LR, si dhe nga dy lista të veçanta, PVD dhe APN.
Katër lista, katër kandidatë për kreun e KKSH-së
Koalicioni LPD–PDSH pritet të garojë me Shqiprim Musliun, kryetar i LPD-së, si bartës të listës dhe kandidat për drejtimin e KKSH-së.
Koalicioni tjetër, PD–LR, do të ketë Sali Salihun si bartës të listës. Ndërkohë, Partia për Veprim Demokratik (PVD) do të garojë e vetme me Enkel Rexhepin, kryetarin aktual të KKSH-së, ndërsa Alternativa për Ndryshim (APN) do të përfaqësohet nga Levent Qazimi.
Kështu, gara pritet të zhvillohet mes katër emrave, me përvoja të ndryshme politike dhe institucionale, por me të njëjtin synim: drejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për mandatin e ardhshëm.
Dy rikthehen në garë, Musliu debuton, Rexhepi kërkon vazhdimësinë
Një nga veçoritë e kësaj gare është se dy prej kandidatëve, Sali Salihu dhe Levent Qazimi, kanë garuar edhe më parë për postin e kryetarit të KKSH-së, por nuk kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për ta marrë drejtimin e institucionit.
Për Shqiprim Musliun, kjo do të jetë gara e parë personale për postin e kryetarit të KKSH-së. Ai hyn në këtë proces si lider i LPD-së dhe kandidat i një koalicioni që, sipas informacioneve të mbledhura nga LajmiAL, mund të ketë përkrahje edhe nga dy subjekte të tjera politike, bazuar në një marrëveshje të brendshme politike.
Në anën tjetër, Enkel Rexhepi hyn në garë si kryetar aktual i KKSH-së. Gjatë mandatit të deritanishëm, PVD dhe LPD kanë zbatuar një marrëveshje politike për ndarjen e drejtimit të institucionit, me nga dy vjet për secilin subjekt.
Rikandidimi i Rexhepit e vendos kështu PVD-në përballë sfidës për të ruajtur ndikimin e saj në institucion, ndërsa kandidatët e tjerë synojnë të ndryshojnë raportet e deritanishme politike.
Musliu në avantazh? Çfarë flitet në terren
Sipas informacioneve që ka mbledhur LajmiAL nga terreni, koalicioni LPD–PDSH, me Shqiprim Musliun si bartës të listës, aktualisht shihet si një nga pretendentët më të fortë për të marrë drejtimin e KKSH-së.
Përparësia e mundshme e këtij koalicioni lidhet jo vetëm me bashkimin e dy subjekteve politike, por edhe me përkrahjen që, sipas informacioneve të siguruara nga LajmiAL, mund t’i ofrojnë edhe dy subjekte të tjera, në kuadër të një marrëveshjeje të brendshme.
Megjithatë, deri në përfundimin e votimit, çdo vlerësim për fituesin mbetet paraprak. Rezultati do të varet nga pjesëmarrja e votuesve, mobilizimi i strukturave politike dhe shpërndarja e votave ndërmjet katër listave.
8 nëntori do ta zbardhë fituesin
Përgjigjja përfundimtare do të dihet më 8 nëntor, kur shqiptarët e Luginës së Preshevës do të votojnë në kuadër të zgjedhjeve për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare në Serbi.
Pas mbylljes së vendvotimeve dhe fillimit të numërimit të votave, do të bëhet më e qartë se cili subjekt ka arritur të sigurojë mbështetjen më të madhe dhe kush do ta marrë drejtimin e institucionit që përfaqëson interesat kolektive të shqiptarëve në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës.
A do të jetë Shqiprim Musliu emri i ri në krye të KKSH-së, Levent Qazimi apo Sali Salihu do ta rikthejnë besimin tek votuesit, apo Enkel Rexhepi do të arrijë ta ruajë këtë post? Përgjigjen do ta japin votuesit më 8 nëntor./LajmiAL/












