Mbi dy dekada duke jetuar në Kosovë, duke ndërtuar jetën e tyre, duke kontribuar në shoqëri dhe duke krijuar familje, e megjithatë ende pa dokumente të përhershme. Ky është realiteti me të cilin vazhdojnë të përballen shumë shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët, pavarësisht qëndrimit dhe veprimtarisë së tyre për një periudhë kaq të gjatë në Kosovë, ende nuk e kanë zgjidhur statusin e tyre juridik në këtë shtet.
Për këto raste është folur shpesh, janë dhënë premtime dhe jo rrallë është duartrokitur sikur çështja të ishte zgjidhur përfundimisht. Është thënë se mori fund, se u krye, se problemi tashmë i përket së kaluarës. Por realiteti tregon ndryshe: këta njerëz vazhdojnë të mbeten në pritje, pa dokumente të përhershme dhe pa një siguri të qartë për të ardhmen e tyre.
Ata vazhdojnë të jenë mysafirë në shtëpinë e tyre. Në atë vend ku kanë kaluar më shumë se dy dekada të jetës, ku kanë rritur fëmijët dhe ku, në shumë raste, i kanë varrosur prindërit e tyre. Megjithatë, edhe pas gjithë këtyre viteve, vazhdojnë të trajtohen si të huaj në vendin që e konsiderojnë shtëpinë e tyre.
Premtimet e deritanishme dhe ligji, i cili është paraqitur si zgjidhje përfundimtare e këtij problemi, ende nuk janë shndërruar në realitet për të gjithë. Për shumë familje, ajo që u është premtuar vazhdon të mbetet vetëm një ëndërr.
Edhe fëmijët e tyre, ndonëse të lindur në Kosovë dhe të pajisur me numër personal të këtij shteti, vazhdojnë të përballen me pasiguri sa i përket statusit të tyre juridik dhe dokumentacionit të qëndrimit. E ardhmja e tyre mbetet e paqartë, ndërsa mungesa e dokumenteve të përhershme u krijon pengesa në jetën e përditshme.
Problemet shfaqen në situata të zakonshme: kur kanë nevojë të marrin shërbime shëndetësore, kur regjistrohen në shkolla apo fakultete, kur duan të pajisen me patentë shoferi ose kur duhet t’i nënshtrohen ndonjë provimi. E gjithë kjo, sipas rasteve të raportuara nga familjet e prekura, lidhet me statusin dhe dokumentacionin e prindërve të tyre, të cilët janë shtetas të Serbisë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike shqiptare.
Por pyetja që shtrohet është: a duhet të vazhdojë kjo pritje pa fund? A është e drejtë që njerëzit të jetojnë për më shumë se njëzet vjet në një vend, të ndërtojnë jetën e tyre aty dhe sërish të mos kenë siguri të plotë juridike për veten dhe familjet e tyre?
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur krijohet përshtypja se jo të gjithë trajtohen njësoj. Ndërsa disa presin me vite për të zgjidhur çështjen e dokumenteve, të tjerë duket se arrijnë t’i realizojnë të drejtat e tyre brenda një kohe shumë të shkurtër. Për disa, procedurat zgjasin pafundësisht; për të tjerë, zgjidhja duket se vjen brenda natës. Madje, në opinion qarkullojnë edhe pretendime se njohjet personale apo lidhjet e caktuara mund të ndikojnë në përshpejtimin e procedurave.
Nëse këto pretendime janë të vërteta, atëherë bëhet fjalë për një çështje serioze që kërkon transparencë dhe trajtim të barabartë. Të drejtat dhe procedurat administrative nuk duhet të varen nga njohjet personale, por nga ligji, kriteret e qarta dhe zbatimi i barabartë i tyre për të gjithë.
Durimit të këtyre njerëzve duket se po i vjen fundi. Fjalët, premtimet dhe deklaratat se problemi është zgjidhur nuk mund të zëvendësojnë dokumentet që u mungojnë. Populli nuk mund të mbahet pafundësisht me shpresa, ndërsa jeta e përditshme e familjeve vazhdon të rëndohet nga pasiguria.
Në fund, mbetet një e vërtetë e thjeshtë: çfarë mbjell, do të korrësh. Dhe nëse shqetësimet e këtyre njerëzve vazhdojnë të mos marrin përgjigje, pasojat e kësaj neglizhence do të ndihen edhe më tej.
Si duket, edhe kësaj here, për hallin dhe shqetësimet tona do të na qajnë të tjerët, ndërsa ne do të vazhdojmë të luajmë argatin për interesat e tyre. E megjithatë, pyetja mbetet: deri kur do të vazhdojë kjo gjendje dhe kush do të mbajë përgjegjësi për vitet e humbura të këtyre familjeve?
Nuk kërkohet më duartrokitje për premtime, por zgjidhje konkrete. Nuk kërkohen fjalë të reja, por dokumente, siguri juridike dhe trajtim i barabartë. Sepse pas më shumë se dy dekadash, këta njerëz nuk duhet të vazhdojnë të ndihen të huaj në shtëpinë e tyre./LajmiAL/












