Përshëndetje z. Mustafa. Ju falënderojmë që pranuat këtë intervistë për LajmiAL.
LajmiAL: Z. Mustafa, Partia Demokratike ju ka nominuar si kandidat për deputet në Kuvendin e Serbisë. Cilat janë tri çështjet kryesore që do t’i ngrini në Parlament nëse merrni mandatin?
Mustafa: Partia Demokratike më ka nominuar si kandidat për deputet nga Medvegja, i renditur me numrin 3 në listën e përbashkët të partive politike shqiptare nga Lugina, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit 2026.
Në Parlament do të mbrojmë tri çështje themelore për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
E para është çështja e pasivizimit të adresave në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc. Kjo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë juridike të qytetarëve, ruajtjen e lidhjes së tyre me vendbanimet dhe krijimin e kushteve për kthimin e popullatës së shpërngulur.
E dyta është zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdon të jetë në nivel shumë të ulët. Kërkesa jonë do të jetë që shqiptarët të kenë përfaqësim real dhe të drejtë në institucionet publike, ndërsa vendbanimet shqiptare të përfshihen në mënyrë më të barabartë në zhvillimin infrastrukturor.
E treta është perspektiva e të rinjve. Pa rini nuk ka të ardhme për Medvegjën dhe Luginën. Prandaj do të angazhohemi për pranimin e diplomave, mundësi më të mëdha punësimi dhe krijimin e kushteve që të rinjtë të mos e shohin largimin si të vetmen alternativë.
LajmiAL: Medvegja dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen prej vitesh me probleme të shumta politike, ekonomike dhe demografike. Çfarë ndryshimi konkret premtoni se mund të sillni për Medvegjën dhe shqiptarët e kësaj treve?
Mustafa: Problemet politike, ekonomike dhe demografike janë veçanërisht të theksuara në Medvegjë dhe në shumë raste janë edhe më të rënda sesa në dy komunat e tjera të Luginës.
Prandaj, angazhimi ynë nuk mund të jetë i kufizuar vetëm në një çështje apo në një mandat elektoral. Ne duhet të punojmë për përmirësimin e gjendjes në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të të gjithë Luginës.
Medvegja nuk mund të trajtohet e ndarë nga Presheva dhe Bujanoci. Problemet tona janë të përbashkëta dhe edhe përgjigjja politike duhet të jetë e përbashkët.
Në këtë drejtim do të kërkojmë bashkëpunim me faktorët institucionalë dhe politikë në Luginë, por edhe me institucionet e Republikës së Kosovës dhe me institucionet në Beograd. Qëllimi është i qartë: të krijohen rezultate konkrete për qytetarët dhe të mbrohen interesat e shqiptarëve përmes institucioneve dhe përfaqësimit politik.
LajmiAL: Një nga shqetësimet kryesore të shqiptarëve në Medvegjë është zbrazja e vazhdueshme e vendbanimeve dhe largimi i të rinjve. Çfarë politikash konkrete do të kërkoni nga institucionet e Serbisë për ta ndalur këtë proces?
Mustafa: Për ta ndalur zbrazjen e Medvegjës, duhet të trajtohen shkaqet dhe jo vetëm pasojat.
Kërkesa jonë e parë dhe e qartë do të jetë kthimi i adresave të qytetarëve që janë pasivizuar në mënyrë të padrejtë. Një qytetar që humb adresën, humb një pjesë të sigurisë dhe lidhjes së tij institucionale me vendin ku jeton apo nga i cili vjen.
Në të njëjtën kohë, duhet të investohet shumë më tepër në infrastrukturën e vendbanimeve shqiptare, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si dhe në realizimin e të drejtave të qytetarëve.
Nëse duam që të rinjtë të qëndrojnë, duhet t’u japim arsye për të qëndruar. Kjo nënkupton vende pune, infrastrukturë, dokumentacion të rregullt, mundësi për zhvillim dhe perspektivë për të ardhmen mbi të gjitha tu pranohen diplomat.
Medvegja nuk mund të mbahet gjallë vetëm me fjalë. Ajo duhet të ketë kushte reale për të jetuar dhe zhvilluar.
LajmiAL: Sa i bashkuar duhet të jetë faktori politik shqiptar në Luginën e Preshevës për të pasur më shumë ndikim në Beograd dhe cilin rol mendoni se duhet ta luajë Medvegja në këtë përfaqësim politik?
Mustafa: Faktori politik shqiptar në Luginë duhet të ketë një nivel shumë më të lartë bashkëpunimi.
Ne mund të kemi dallime politike, parti të ndryshme dhe pikëpamje të ndryshme, por për çështjet themelore që lidhen me të ardhmen e shqiptarëve duhet të dimë të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët.
Sa më të bashkuar të jemi për çështjet me interes kombëtar dhe lokal, aq më i fortë është zëri ynë në Beograd.
Në të njëjtën kohë, duhet të dimë t’i artikulojmë qartë përparësitë dhe kërkesat tona edhe ndaj Prishtinës. Medvegja duhet të jetë pjesë e barabartë e këtij përfaqësimi dhe zëri i saj nuk duhet të lihet në margjinat e politikës së Luginës.
Prandaj, synimi ynë duhet të jetë një përfaqësim politik që bashkon interesat e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit dhe i paraqet ato me një zë më të fuqishëm përballë institucioneve.
LajmiAL: Nëse zgjidheni deputet, cilin do ta konsideroni suksesin tuaj më të madh pas katër viteve mandat? Çfarë do t’u thoni sot qytetarëve të Medvegjës që presin rezultate konkrete dhe jo vetëm premtime elektorale?
Mustafa: Suksesi për mua nuk do të matet me fjalimet në Parlament, por me atë se çfarë do të arrijmë të ndryshojmë në jetën e qytetarëve.
Një nga çështjet e rëndësishme do të jetë zgjidhja e çështjeve të shërbimeve dhe dokumentacionit për qytetarët.
Por mbi të gjitha, suksesi do të ishte nëse gjatë mandatit arrijmë të shohim përmirësim real të infrastrukturës në vendbanimet tona, kthim të popullatës së shpërngulur, kthim të adresave të qytetarëve të pasivizuar, pajisjen e tyre me dokumente valide dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë.
Ky është standardi me të cilin duhet të matet një deputet.
Qytetarëve të Medvegjës u them se nuk duhet të kënaqemi më vetëm me premtime. Përfaqësimi politik duhet të shndërrohet në kërkesa konkrete, presion institucional dhe rezultate të matshme.
Unë kërkoj mbështetjen e tyre për të qenë zëri i Medvegjës në Parlamentin e Serbisë dhe për të mbrojtur atje interesat e qytetarëve tanë.
Medvegja ka nevojë për zë, përfaqësim dhe rezultate – dhe ky është angazhimi im.
Bajram Mustafa Kandidat për deputet – Partia Demokratike Nr. 3 në listën LUGINA E BASHKUAR












