Në shkollat e mesme në Serbi janë regjistruar 57.580 nxënës

0
94

Ministri i Arsimit i Serbisë, Dejan Vuk Stankoviq, deklaroi sot se procesi i regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme është përmbyllur me sukses, pavarësisht sfidave që, sipas tij, janë pasojë e krizës së vitit të kaluar në sistemin arsimor.

Ai bëri të ditur se gjatë afatit të parë dhe të dytë të regjistrimit janë regjistruar gjithsej 57.580 nxënës.

Në konferencën për media të mbajtur në Qeverinë e Serbisë, ku u prezantuan rezultatet e provimit përfundimtar dhe të regjistrimit në shkollat e mesme, Stankoviq tha se këtë vit provimin përfundimtar e kanë dhënë 64.400 nxënës, ndërsa në dispozicion kanë qenë 72.000 vende të lira në shkollat e mesme.

Sipas tij, mesatarja e pikëve të arritura në provimin përfundimtar ka mbetur në nivelin e rezultateve të vitit të kaluar.

Ai shtoi se është shënuar një rezultat disi më i dobët në lëndën e gjuhës amtare, ndërsa në matematikë dhe në lëndën me zgjedhje është vërejtur një trend më pozitiv.