Në vitet e fundit, fenomeni i largimit të të rinjve nga Lugina e Preshevës drejt vendeve të Bashkimit Evropian po merr përmasa alarmante. Shkaqet e kësaj dukurie janë të shumta dhe komplekse, por një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: mungesa e sigurisë në tregun e punës dhe mosrespektimi i të drejtave themelore të punëtorëve po e shtyjnë rininë të kërkojë të ardhmen jashtë vendit.
Ndonëse opinioni publik shpesh ia adreson fajin vetëm institucioneve lokale, realiteti është më i ndërlikuar. Përgjegjësia nuk mund të rëndojë vetëm mbi komunat apo administratën lokale, pasi një pjesë e madhe e problemit lidhet drejtpërdrejt me sektorin privat dhe me zbatimin e mangët të ligjit të punës.
Punë me vite të tëra, por pa asnjë ditë sigurim
Burime të shumta të LajmiAL flasin për raste kur të rinjtë kanë punuar me vite në kompani private pa iu paguar kontributet pensionale dhe shëndetësore. Në dokumentacionin zyrtar, ata rezultojnë sikur nuk kanë punuar asnjë ditë, megjithëse realisht kanë kaluar vite të tëra në vendin e punës.
Kjo do të thotë se mijëra orë pune nuk përkthehen në përvojë pune të regjistruar, nuk krijojnë të drejtë pensioni dhe nuk ofrojnë asnjë siguri për të ardhmen e tyre.
“Kam punuar gjasht vjet në një kompani private dhe kur kërkova vërtetim për përvojën e punës, kuptova se nuk figuronte asnjë ditë e regjistruar,” thotë një i ri, i cili tashmë është larguar drejt Gjermanisë.
Arsyetimi i punëdhënësve nuk i shmang nga përgjegjësia
Në shumë raste, punëdhënësit arsyetohen se vetë punëtorët nuk kanë dëshiruar t’u paguhen kontributet, me pretendimin se kështu marrin një pagë më të lartë “në dorë”. Megjithatë, ekspertët e së drejtës së punës theksojnë se një praktikë e tillë është e jashtëligjshme.
Ligji e obligon punëdhënësin të regjistrojë punëtorin dhe të paguajë kontributet përkatëse, pavarësisht marrëveshjeve joformale që mund të bëhen mes palëve.
Mosrespektimi i këtij detyrimi nuk është vetëm shkelje administrative, por prodhon pasoja afatgjata për jetën e punëtorit, i cili rrezikon të mbetet pa pension dhe pa mbulim të plotë social.
Inspektorët e punës nën hijen e dyshimeve
Përgjegjësi të konsiderueshme mbajnë edhe organet mbikëqyrëse. Sipas informacioneve të siguruara nga LajmiAL, ekzistojnë raste kur inspektorët e punës kanë qenë të informuar për shkeljet, por ato kanë vazhduar për vite me radhë pa ndërhyrje efektive.
Në disa kompani, në listat e kontributeve figurojnë familjarë të afërt të pronarëve, të cilët nuk kryejnë punët që realisht i bëjnë punëtorët e angazhuar në terren apo në prodhim. Kjo praktikë jo vetëm që dëmton buxhetin publik, por u mohon të drejtat atyre që punojnë çdo ditë.
Dyshimet për marrëdhënie klienteliste dhe “allashverishe” mes bizneseve dhe mbikëqyrësve institucionalë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në bisedat e qytetarëve, ndërsa pasojat i bartin punëtorët.
Rreziku i një pleqërie pa pension
Pasojat më të rënda nuk ndihen menjëherë. Ato do të shfaqen pas dekadash, kur shumë prej këtyre punëtorëve të arrijnë moshën e pensionit dhe të kuptojnë se nuk kanë asnjë ditë përvojë pune të regjistruar.
Ekspertët paralajmërojnë se një numër i madh qytetarësh mund të përballen me pleqëri pa të ardhura të rregullta, duke u bërë të varur nga familjarët ose nga ndihma sociale.
Tregu i punës po mbushet me të mitur
Një tjetër dukuri shqetësuese është ndryshimi i strukturës së fuqisë punëtore. Punëdhënësit po e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punëtorë të moshës madhore, pasi shumë të rinj po largohen drejt Perëndimit.
Si pasojë, në disa sektorë po shtohet angazhimi i të miturve, madje edhe i të rinjve që ende nuk kanë mbushur 18 vjeç. Kjo përbën një tjetër shkelje serioze të ligjit të punës dhe tregon se mungesa e fuqisë punëtore po e shtyn tregun drejt praktikave gjithnjë e më problematike.
Lugina po humb kapitalin e saj njerëzor
Largimi i të rinjve nuk është vetëm çështje demografike. Ai përfaqëson humbjen e kapitalit njerëzor, të aftësive profesionale dhe të potencialit zhvillimor të rajonit.
Institucionet lokale kanë detyrimin të krijojnë politika zhvillimore dhe të mbështesin punësimin, por paralelisht shteti duhet të garantojë zbatimin e ligjit të punës, ndërsa sektori privat duhet të kuptojë se fitimi nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e të drejtave themelore të punëtorëve.
Nëse kjo situatë vazhdon, Lugina rrezikon të përballet me një paradoks të dhimbshëm: kompani që ankohen për mungesë punëtorësh, ndërsa mijëra të rinj zgjedhin emigrimin pikërisht sepse nuk gjejnë siguri, dinjitet dhe perspektivë në vendin e tyre.
LajmiAL: Hulumtim redaksional mbi tregun e punës dhe emigrimin në Luginën e Preshevës












