Pavarësisht apelit të MPJD-së, agjencitë turistike kosovare vazhdojnë udhëtimet nëpër Serbi pa pengesa

0
145

Në prag të sezonit të pushimeve verore, apeli i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të Kosovës, që u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet nëpër Serbi, ka shkaktuar pasiguri te shumë pjesëtarë të mërgatës që planifikojnë ta vizitojnë vendlindjen.

Nëse mërgimtarët do ta respektojnë ose jo këtë apel, mbetet çështje personale. Megjithatë, nga dita e sotme ka nisur fluksi i madh i bashkatdhetarëve që po i drejtohen vendlindjes për pushime.

Edhe përkundër apelit të MPJD-së, LajmiAL gjatë ditës së djeshme dhe sot ka kontaktuar burimet e veta, veçanërisht në pikën kufitare Dheu i Bardhë, në hyrje të Kosovës. Sipas këtyre burimeve, janë parë automjete me targa të vendeve perëndimore që kanë hyrë në Kosovë pa hasur në keqtrajtime apo maltretime gjatë kalimit nëpër Serbi.

Një tjetër fakt është se autobusët e agjencive turistike nga Kosova, të cilët operojnë me linja të rregullta drejt pothuajse të gjitha vendeve të Evropës Perëndimore, vazhdojnë të qarkullojnë pa pengesa.

Deri më tani nuk është raportuar ndonjë rast i keqtrajtimit të udhëtarëve, përveç rasteve kur autoritetet serbe apo edhe ato hungareze dhe kroate kanë parandaluar kontrabandën ose kanë konstatuar shkelje të ligjit, gjë që praktikohet nga çdo shtet.

Këta autobusë kalojnë çdo ditë nëpër pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë.

Deri më sot nuk është raportuar ndonjë rast që ndonjë linjë e rregullt të jetë ndaluar për të kaluar nëpër territorin e Serbisë. (përkundrazi çdo shtet e ka levërdinë financiare të këtyre linjave)

Veçanërisht gjatë sezonit veror, dhjetëra autobusë ndalojnë në Bujanoc për të marrë ose zbritur udhëtarë.

Agjencitë turistike nuk kanë raportuar raste të keqtrajtimit të udhëtarëve, përveç situatave kur persona të caktuar kanë udhëtuar me pasaporta të skaduara, dokumente jo parregullta, me tejkalim të afatit të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian ose kanë tentuar të transportojnë mallra të ndaluara. Në raste të tilla, pasojnë procedurat dhe dënimet e parashikuara me ligj.

Në këtë kontekst, MPJD e Kosovës do të duhej të ishte në komunikim të vazhdueshëm edhe me agjencitë turistike, të cilat çdo ditë organizojnë transportin e qytetarëve, në mënyrë që çdo shqetësim të trajtohet në koordinim me to.

Po ashtu, mbetet e paqartë se si duhet të veprojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët jetojnë në numër të madh në vendet perëndimore. Nëse u rekomandohet të shmangin kalimin nëpër Serbi, cila është alternativa e tyre për të ardhur në vendlindje?

Sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, një apel i tillë nuk krijon ndjenjë sigurie te qytetarët, por mund të shkaktojë panik dhe pasiguri.

Ata vlerësojnë se MPJD duhet të jetë më e koordinuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe, përmes saj, të kërkojë angazhim institucional nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për të garantuar një udhëtim sa më të sigurt për qytetarët e Kosovës, ngase apelet e tilla jane pothuajse ne çdo periudhe sezone kur mergimtarët ia mësyjnë vendlindjes.

LajmiAl si portal informativ që operon në Luginë të Preshevës por që ka edhe shumë ndjekës nga Kosova është i gatshëm që përmes burimeve të veta ti japë ndihmën e mundshme rreth informacioneve të nevojshme çdo mërgimtari që ka nevojë për to. Rrugë të mbarë mërgimtarë.LajmiAL