Fundi I 2026-ës. Pa këtë dokument nuk ka hyrje në BE. Do të duhet edhe të paguhet

0
268

Pas vendosjes së sistemit EES, i cili në tetor të vitit të kaluar ndryshoi mënyrën e evidentimit të udhëtarëve në kufijtë e Bashkimit Evropian, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë gjatë këtij viti pritet të përballen me një risi tjetër të rëndësishme. Bëhet fjalë për ETIAS-in – leje elektronike udhëtimi për shtetasit e vendeve që nuk kanë nevojë për vizë për zonën Shengen.

Edhe pse si afat orientues përmendet fundi i vitit 2026, data e saktë e fillimit të zbatimit të këtij sistemi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ajo që është e sigurt, megjithatë, është se leja e vlefshme ETIAS do të jetë e detyrueshme pavarësisht mënyrës së udhëtimit drejt Evropës. Për këtë arsye, më poshtë shpjegohet se si rregullat e reja do të ndikojnë konkretisht në udhëtimet drejt vendeve evropiane me rrugë tokësore.

Udhëtimi me autobus

Nëse udhëtoni me autobus drejt njërës nga 30 vendet evropiane që kërkojnë ETIAS, leja juaj ETIAS do të kontrollohet nga autoritetet kufitare në momentin e mbërritjes në kufi. Pa këtë leje, hyrja do t’ju refuzohet, theksojnë autoritetet e Bashkimit Evropian.

  • Kompania e autobusëve mund të mos e kontrollojë ekzistencën e ETIAS-it para hipjes, pasi transportuesit do të kenë një afat prej tre vitesh nga fillimi i zbatimit të ETIAS-it për t’u përshtatur me këtë detyrim – sqarojnë nga BE.

Shembull:

Bekimi është shtetas i Serbisë dhe udhëton për pushime në Gjermani me autobus nga Bujanoci. Si shtetas i një vendi që nuk ka nevojë për vizë, atij do t’i duhet leja ETIAS, me kusht që pasaporta e tij të përmbushë kriteret e dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga Serbia. Edhe pse kompania e autobusit mund të mos e kontrollojë ETIAS-in para nisjes, policia kufitare kroate apo hungareze do ta bëjë këtë në momentin e mbërritjes në kufi, si dhe do të verifikojë nëse ai i plotëson të gjitha kushtet e tjera për hyrje.

Udhëtimi me makinë

Nëse udhëtoni me makinë drejt një vendi evropian që kërkon ETIAS, leja juaj e udhëtimit do të kontrollohet nga polici kufitar në pikën kufitare. Çdo person në automjet, përfshirë edhe fëmijët, duhet të ketë leje individuale ETIAS.

Shembull:

Bekimi, Blerina dhe dy fëmijët e tyre, të gjithë shtetas të Serbisë, udhëtojnë me makinë për pushime dyjavore në Gjermani nga Bujanoci në Mynih. Në kalimin kufitar me Kroacinë apo Hungarinë, autoritetet kufitare do të kontrollojnë nëse çdo anëtar i familjes, përfshirë edhe dy fëmijët, ka ETIAS të vlefshëm, përpara se t’u lejohet hyrja.

ETIAS dhe EES – dallimet kryesore

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm që duhet ditur është se ETIAS nuk është i njëjtë me EES-in, edhe pse këto dy sisteme shpesh ngatërrohen. Kjo do të thotë se pas vendosjes së ETIAS-it, sistemi i ri nuk do t’i reduktojë radhët dhe pritjet që mund të shkaktojë EES-i, siç ishte supozuar më herët.

Sistemi i Hyrje/Daljes (EES) shpesh përmendet së bashku me Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), por bëhet fjalë për dy sisteme të ndryshme, me funksione dhe faza të ndryshme zbatimi, transmeton LajmiAL.

EES, i cili pritet të hyjë plotësisht në funksion në prill, është një sistem i menaxhimit kufitar dhe përdoret në momentin e kalimit të kufirit të jashtëm të BE-së.

ETIAS, zbatimi i të cilit planifikohet për fundin e vitit 2026, është leje udhëtimi që merret para nisjes dhe vlen vetëm për shtetasit e vendeve që nuk kanë nevojë për vizë. Funksionon në mënyrë të ngjashme me sistemin amerikan ESTA ose kanadez eTA.

EES është falas, ETIAS paguhet

Marrëdhënia mes këtyre dy sistemeve është edhe kronologjike, edhe funksionale:

  • ETIAS kontrollon përmbushjen e kushteve dhe rreziqet e mundshme të sigurisë para udhëtimit të shtetasve pa vizë.
  • EES regjistron hyrjen dhe daljen reale të udhëtarit në momentin e mbërritjes në kufirin e jashtëm të BE-së.
  • Ndërsa EES është plotësisht falas, tarifa për ETIAS do të jetë 20 euro dhe do të paguhet kur sistemi të bëhet funksional. Sipas autoriteteve, kjo pritet në fund të vitit 2026, megjithëse as ky afat nuk është ende plotësisht i sigurt.
  • Kjo “biletë hyrëse” do të vlejë deri në tre vjet, ose deri në skadimin e pasaportës, nëse ajo skadon brenda tre viteve nga data e miratimit të ETIAS-it.

ETIAS nuk është vizë

Shënim i rëndësishëm: ETIAS nuk është vizë, por një kontroll shtesë sigurie. Aplikimi për ETIAS do të bëhet online para udhëtimit, ndërsa regjistrimi në EES kryhet drejtpërdrejt në kufi, është falas dhe bëhet vetëm një herë, ndërsa në udhëtimet pasuese bëhet vetëm verifikimi.

EES dhe ETIAS nuk e ndryshojnë regjimin pa viza mes Serbisë dhe BE-së. Qytetarët do të vazhdojnë të udhëtojnë pa vizë dhe të qëndrojnë në Bashkimin Evropian deri në 90 ditë.

Pra, edhe me fillimin e ETIAS-it, hyrja në vendet e BE-së do të realizohet sipas rregullave të reja dhe përmes sistemit EES.