Çmimi i peletit në Serbi arrin deri në 400 euro për ton, vështirë edhe ta gjeshë!

0
426

Kohëve të fundit në Serbi, çmimi i peletit ka arritur deri në 400 euro për një ton, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën e verës. Gjatë muajve korrik dhe gusht, një ton pelet – ose më saktë një paletë me rreth 1.050 kilogramë – kushtonte rreth 240 euro, që do të thotë se aktualisht çmimi është rritur për rreth 160 euro për paletë.

Përveç shtrenjtimit, është vërejtur edhe vështirësi në furnizim, pasi peleti nuk gjendet gjithmonë në depot që merren me shitje. Si pasojë, shumë qytetarë janë të detyruar të furnizohen me thasë, të cilët kushtojnë rreth 700 dinarë për thes, pasi blerja me paleta është bërë më e vështirë.

LajmiAL ka mësuar se kjo situatë mund të zgjasë deri kah mesi i muajit mars, periudhë kur kërkesat për pelet janë të larta. Pas kësaj, pritet që të ketë rënie të çmimit, por edhe të kërkesës, në varësi të kushteve klimatike dhe temperaturave.

Shitësit theksojnë se periudha më e favorshme për furnizim është vera, kur çmimet janë më të ulëta dhe oferta më e madhe. Sipas tyre, nuk është e nevojshme që qytetarët të porosisin sasi të mëdha, siç janë gjashtë paleta; tre deri në katër paleta janë mëse të mjaftueshme. Kjo mënyrë furnizimi është më e leverdishme edhe financiarisht, pasi shmang shpenzimet e mëdha të menjëhershme dhe njëkohësisht ndikon që furnitorët të mos rrisin çmimet kur kërkesat janë më të ulëta./LajmiAL/