Amina Nuraj nga Sanxhaku është një emër që sot përfaqëson dinjitetin, qëndresën dhe përkushtimin e palëkundur ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. Në një realitet të vështirë e shpesh armiqësor, ajo ka kaluar nëpër peripeci dhe sakrifica të panumërta nën trysninë e regjimit të Beogradit, por kurrë nuk iu nda misionit të saj fisnik: mbrojtjes së gjuhës, kulturës dhe të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak.
Me guxim të rrallë dhe me një shpirt të pathyeshëm, Amina ka zgjedhur të luftojë me fjalë, me mendim dhe me vepra. Librin e saj “Unë, bija e atdheut” e ktheu në dëshmi të gjallë të vuajtjeve dhe sakrificave personale, por edhe në thirrje ndërgjegjeje për të mos harruar rrënjët dhe identitetin tonë. Çdo faqe e atij libri është një betim dashurie për atdheun dhe një akt qëndrese kundër harresës.

Pa asnjë dyshim, Amina Nuraj është Shotë Galica e Sanxhakut. Zëri i saj nuk heshti kurrë përballë padrejtësive; përkundrazi, u bë më i fortë sa herë që rrezikohej e drejta shqiptare. Është e lehtë të luftosh aty ku je shumicë, por të qëndrosh i palëkundur në Sanxhak – aty ku shqiptarët janë pakicë – është një sfidë e jashtëzakonshme, veçanërisht për një grua. Megjithatë, Amina po ia del, sikur pas vetes të ketë një ushtri të tërë.
Zëri i Amines tashmë është dëgjuar në të katër anët e planetit. Emri i saj shkruhet me krenari në selitë diplomatike shqiptare dhe ajo gëzon mbështetjen e plotë të diplomacisë shqiptare. Figura e Amines është një vlerë e fuqishme dhe një shembull i qartë se si mbrohet dhe ruhet identiteti kombëtar.

Kjo zonjë e qëndresës sot pas vetes ka edhe mbështetjen e dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë. Dyert e diplomacive të ndryshme evropiane tashmë janë hapur për të, ndërsa Amina vazhdon ta mbrojë dhe ta nderojë me përkushtim identitetin tonë kombëtar, kudo që shkon.


Historia e saj është frymëzim, është krenari dhe është dëshmi se dashuria për kombin nuk matet me numra, por me guxim. Amina Nuraj është dhe do të mbetet simbol i qëndresës shqiptare në Sanxhak./LajmiAL/












