22 Nëntori shënon njërën nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – ditën kur u vendos alfabeti i gjuhës shqipe dhe u formësua struktura e një sistemi të unifikuar shkrimi që do të bëhej themeli i identitetit, kulturës dhe ndërgjegjes sonë kombëtare. Në atë ditë të vitit 1908, delegatët shqiptarë të Kongresit të Manastirit hodhën bazat e gjuhës standarde, duke krijuar një urë lidhëse mes shqiptarëve kudo që ndodheshin.
Gjuha shqipe, e forcuar nga vendimi i 22 Nëntorit, nuk është vetëm mjet komunikimi, por simbol i unitetit, i rezistencës dhe i përpjekjeve shekullore për arsimim dhe zhvillim kulturor.
Mirëpo, në Luginën e Preshevës — vendbanim me shumicë shqiptare — sfidat që lidhen me gjuhën shqipe vazhdojnë të jenë reale edhe sot. Ndërsa 22 Nëntori përkujton triumfin e alfabetit dhe bashkimin e kombit rreth një gjuhe të vetme, realiteti në Luginë tregon se kjo arritje ende kërkon mbrojtje dhe përpjekje të vazhdueshme.
Nxënësit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës prej vitesh përballen me mungesë të teksteve shkollore në gjuhën amtare. Librat që duhen të jenë të drejtë elementare dhe e garantuar me ligj, shpesh nuk arrijnë fare në shkolla, ose vijnë me vonesa të mëdha, duke e bërë procesin mësimor më të vështirë dhe duke cenuar të drejtën themelore për arsim në gjuhën shqipe.
Kongresi i Manastirit synonte unifikimin e shkrimit shqip që t’i shërbente brezave. Por sot, në Luginë, brezat e rinj shpesh detyrohen të mësojnë me materiale të improvizuara, me fotokopje, apo me tekste të papërditësuara — një situatë që jo vetëm pengon cilësinë e arsimit, por dhe krijon ndjenjën e pabarazisë.
Pikërisht për këtë arsye, 22 Nëntori nuk është thjesht një datë historike. Është kujtesë e një amaneti kombëtar: të mos lejojmë që gjuha jonë të margjinalizohet, veçanërisht në vendet ku ajo është shenjë e identitetit dhe vetë ekzistencës. Luginës së Preshevës i duhet jo vetëm përkujtim, por mbështetje konkrete, institucionalizim i të drejtave gjuhësore dhe sigurim i teksteve shkollore cilësore në gjuhën shqipe.
Sepse ashtu siç alfabeti i 22 Nëntorit u bë themel i ndërgjegjes kombëtare, edhe teksti i shkollës sot është themeli i dijes, i zhvillimit dhe i së ardhmes së çdo nxënësi shqiptar në Luginë./LajmiAL/












