Lidhur me postimin e kryetarit të KKSH-së Enkel Rexhepit i cili përmes rrjetit social ka bërë të ditur arsyen se përse nuk ka pranuar që të takohet me Ministrin Demo Berisha, të cilin edhe me shkrim e ka njoftuar se nuk do të takohet, LajmiAL ka kërkuar nga MDNJPDSH koment lidhur me shkresën e Rexhepit dhe ka marrë këtë përgjigje:
Reagim i Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, z. Demo Berisha, ndaj deklaratës së kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepit
Si ministër përgjegjës për dialogun dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, ndihem i detyruar t’i përgjigjem deklaratës së kryetarit të KKSH-së z. Enkel Rexhepit, për hir të opinionit publik dhe interesit të qytetarëve shqiptarë në Serbi.
1. Takimet nuk janë spektakël politik, por mjet i domosdoshëm i dialogut.
Refuzimi i dialogut nuk i ndihmon shqiptarët, përkundrazi, i izolon ata dhe i privon nga mundësia për të adresuar drejtpërdrejt problemet e tyre. Ministria që unë drejtoj ka ofruar vazhdimisht bashkëpunim institucional me KKSH-në, me synim të qartë: rezultate konkrete dhe politika afatgjata.
2. Çështja e fondeve për fermerët shqiptarë.
Nuk është e vërtetë se ministria ka bllokuar fondet. Ju si udhëheqës të KNSH-së jeni plotësisht në dijeni se këto fonde nuk përkojnë me fushat që mbulon KKSH, Ligjin me të cilin vepron dhe proceson KKSH, si dhe mënyrën e shpalljes së konkursit i cili është në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore. Nuk është hera e parë që KKSH ka përfituar fonde nga Kosova, fonde të cilat i ka shfrytëzuar pa asnjë problem, sepse mënyra e konkurseve dhe procedurave ka qenë në përputhshmëri me ligjet e R. Sërbisë. Ministria është duke punuar me institucionet përkatëse për zgjidhjen e kësaj çështjeje në një afat të shkurtër, por pa një dialog konstruktiv kjo nuk mund të kryhet.
3. Plani i Integrimit të Shqiptarëve në Institucionet Publike (2023–2026).
Ky plan është një dokument serioz i miratuar me konsensus qeveritar dhe është në fazë zbatimi. Përkundër vështirësive, janë ndërmarrë hapa konkretë, si krijimi i grupeve punuese, hartimi i kuotave dhe diskutimi me institucionet punësuese. Procesi nuk është i lehtë, por është në rrugën e duhur, dhe bashkëpunimi i KKSH-së është i domosdoshëm për ta bërë atë sa më efektiv.
4. Konsistenca në qëndrime.
Është e habitshme që KKSH nuk ka refuzuar asnjëherë pranimin e mjeteve financiare nga Ministria jonë – mjete me të cilat funksionon vetë institucioni – ndërkohë që i njëjti institucion refuzon takimet dhe dialogun. Ky qëndrim nuk është në dëm të ministrit Demo Berisha apo të një individi të vetëm, por në dëm të të gjithë shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilët presin nga ne përfaqësim dhe rezultate.
5. Gjuha e përdorur ndaj institucioneve.
Unë gjithmonë kam respektuar rolin dhe autoritetin e Këshillit Kombëtar Shqiptar si institucion përfaqësues. Por respekti reciprok është themel i dialogut. Akuza të pabazuara dhe retorika e ashpër dëmtojnë besimin dhe krijojnë barriera artificiale mes institucioneve.
Unë e ftoj edhe njëherë z. Rexhepi që të rikthehet në tavolinën e dialogut. Shqiptarët në Serbi presin nga ne zgjidhje, jo përplasje publike. Bashkëpunimi ynë nuk duhet të shihet si “spektakël”, por si përgjegjësi ndaj qytetarëve që përfaqësojmë.
Dialogu është e vetmja rrugë drejt rezultateve konkrete, thuhet në reagimin e MDNJPDSH, dërguar LajmiAL-it.












