Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi ishte paralajmëruar fillimisht për muajin shtator, por – gjykuar nga deklaratat zyrtare dhe fakti që tashmë është 17 shtator – afati është shtyrë. Deri atëherë, po bëhen përgatitjet për ardhjen e gjeneratës së parë në kazermë: janë nisur procedurat për uniforma, armatim dhe pajisje. Ajo që dihet deri tani është kjo: shërbimi do të zgjasë 75 ditë, rekrutët do të ndahen në tri grupe dhe ata që do të zgjedhin shërbimin civil do të kryejnë dyfishin e kohës, shkruan Blic.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, ka thwnw se ushtria është aktualisht e angazhuar në përgatitjet për krijimin e kushteve të nevojshme dhe se shërbimi i detyrueshëm për të rinj e të reja do të zgjasë 75 ditë.
Si do të ndahen rekrutët
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, shërbimi i detyrueshëm do të përfshijë të rinjtë nga 19 deri në 27 vjeç, të cilët do të ndahen në tri kategori:
- Më të rinjtë që zgjedhin të shërbejnë me armë do të jenë në ushtri për 75 ditë.
- Më të vjetrit do të kryejnë shërbim pak më të shkurtër.
- Ata që paraqesin kundërshtim ndërgjegjeje do të kryejnë shërbimin civil, që zgjat 155 ditë.
Gjithashtu, kushdo që e shtyn shërbimin e detyrueshëm duhet ta kryejë atë – me ose pa armë – më së voni deri në moshën 30 vjeç.
Mojsiloviq ka bërë të ditur se të parët që do të thirren janë të rinjtë e lindur në vitin 2006, duke theksuar: “Çdo ditë e çdo vit që vonohemi, humbasim gjenerata të tëra ushtarësh të rinj.”
Ai shtoi se në një klasë llogaritetin deri në 20.000 rekrutë në vit – rreth 5.000 për çdo cikël 2.5 mujor.
Çfarë përfshin stërvitja
- 30 ditët e para: trajnim në përdorimin e armëve, ushtrime me pajisje personale, rregullat e sigurisë, stërvitje shëndetësore dhe të ndihmës së parë.
- Muaji i dytë: stërvitje taktike sipas rolit (pushkatar, mitralier, etj.), qitje ditore dhe natën.
- 15 ditët e fundit: ushtrime në kushte terreni dhe kampe.
Në të gjithë vendin do të funksionojnë 9 qendra stërvitjeje, me instruktorë të dedikuar. Pjesa tjetër e rekrutëve do të trajnohet brenda brigadave dhe njësive të ushtrisë tokësore.












