Shqipëria dhe Kosova bashkërendojnë agjendën para zgjedhjeve në Serbi!
Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, është takuar me Shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, Ambasadorin Jetish Jashari.
Sipas njoftimit të ambasadorit Canaj, në takim është diskutuar për intensifikimin dhe koordinimin e agjendave të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Një pjesë e veçantë e diskutimeve, sipas ambasadorit shqiptar, i është kushtuar edhe ndihmës për faktorin politik shqiptar në Luginën e Preshevës.
Takimi vjen në një periudhë të rëndësishme politike për shqiptarët në Luginën e Preshevës, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku subjektet politike shqiptare pritet të përcaktojnë strategjitë e tyre për përfaqësimin në parlamentin serb.
Ambasadori Canaj e ka cilësuar koordinimin e agjendave Shqipëri–Kosovë si një element të rëndësishëm në raport me zhvillimet politike dhe interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës./LajmiAL/












