Driton Rexhepi: Historia e UÇK-së nuk shkruhet nga përsëritja dhe algoritmet

0
50

Driton Rexhepi, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, kritikon narracionet që, sipas tij, e zbehin rolin e UÇK-së dhe luftën çlirimtare, duke i dhënë peshë të tepruar konflikteve dhe akuzave të brendshme. Ai thekson se historia e Kosovës duhet të mbështetet në fakte dhe jo në përsëritjen e narrativave të caktuara në rrjetet sociale.

NARRACIONI IDIOTESK!

Kur sheh Facebook-un këto ditë, të krijohet një përshtypje vërtet interesante: UÇK-ja dhe drejtuesit e saj, sipas këtij “versioni të ri të historisë”, paskan bërë pothuajse gjithçka tjetër — vetëm luftën kundër forcave ushtarake e policore jugosllave jo.

Me sa duket, lufta për çlirimin e Kosovës paska qenë thjesht një aktivitet anësor, ndërsa “çështjet e tjera” paskan qenë prioriteti kryesor. Mbrojtja e popullsisë dhe e pragut të shtëpisë? Mesa duket, ajo qenka harruar pa dashje!

Sa e përshtatshme kjo histori: lufta zhduket nga skena, ndërsa akuzat marrin rolin kryesor.

Dhe natyrisht, gjithçka na serviret me një seriozitet akademik, sikur po zbulohet për herë të parë historia e Kosovës. Vetëm se mungon një detaj i vogël: faktet.

Askush nuk po thotë se në luftë nuk ka pasur gabime. Por është tepër “komode” që, sa herë flitet për historinë e luftës së Kosovës, të ndërtohet një narracion ku lufta çlirimtare zvogëlohet, ndërsa çdo konflikt i brendshëm zmadhohet deri në atë pikë sa të duket se pikërisht aty paska filluar dhe mbaruar historia.

Në këtë mënyrë, dalim te një përfundim vërtet “brilant”: Kosova paska pasur një luftë çlirimtare ku çlirimi ishte thjesht pjesë dytësore.

Çfarë ironie e bukur historike!

E keqja jonë e brendshme ekziston dhe duhet të përballemi me të. Por ta përdorësh atë si instrument për ta zbehur një kauzë të tërë çlirimtare është tjetër gjë.

Sepse kur një narracion përsëritet mjaftueshëm, fillon të duket si e vërtetë. Dhe kur përsëritet edhe më shumë, disa fillojnë ta quajnë “histori”.

Por historia nuk shkruhet nga përsëritja.
As nga algoritmi.
As nga statusi më i shpërndarë i ditës.

Dhe ndoshta ka ardhur koha që disa prej këtyre “analistëve” të na shpjegojnë edhe një gjë shumë të thjeshtë:

Nëse UÇK-ja nuk paska qenë e angazhuar kryesisht në luftën kundër forcave jugosllave, atëherë me kë po luftonte gjithë ajo Kosovë për vite të tëra?

Pyetje e vogël.

Për një narracion kaq të madh, ndoshta kërkon një përgjigje pak më serioze.

Sepse disa “rastësi” në deklarata, në përsëritje dhe në algoritme, kur bëhen tepër të rregullta, pushojnë së qeni rastësi.