Nga Bekon Ibrahimi
Ky lëshim që po bëhet prej disa imamëve është i qëllimshëm, dhe kryekëput është kundër rregullorës së Bashkësisë Islame të Kosovës e cila punon sipas shkollës juridike Hanefite.
Duhet të theksoj për xhematlinjtë e rëndomtë, Namazi Xhumasë në Ditën e Bajramit nuk bie kurrësesi, dhe mbetet obligative, e jo sikurse është thënë se “Kush e fal Namazin e Bajramit, bie obligueshmëria e Namazit të Xhumasë!”
Namazi Xhumasë është farz individual (Fardu Ajn- detyrim për çdo individ musliman) obligim që është i argumentuar nëpërmjet Kuranit Fisnik, Hadithit Pejgamberik dhe Koncensus të Dijetarëve Musliman, kurse Namazi Bajramit është Vaxhib (Vaxhibi tek Hanefitë nënkupton një pozitë mes sunnetit dhe farzit), ndërsa në Xhamius-Sagir qëndron si sunnet i fortë (që është bërë obligim nëpërmjet sunnetit) dhe nuk lihet farzi për vaxhib ose sunnet. Përsa i përket faljes të Namazit të Xhumasë nëse bie në Ditën e Bajramit për këtë janë pajtuar dijetarët nga rradhët e Hanefive, Malikive, Shafiive!
Në shumë libra të Fikhut, ndër to “Tebjinu’l Hakaik Sherh Kenzi Dekaik” të Fahrudin Uthman bin Alij Ez-Zejlai (Zoti e mëshiroftë) , njëashtu në Xhamius-Sagir të shkollës Hanefite thuhet :
“Dy bajrame (festa) nëse bien në të njejtën ditë (ka për qëllim Ditën e Bajramit të Fitrit apo Kurbanit dhe Dita e Xhuma sepse llogaritet bajram/festë e javës) e para është sunnet i fortë e dyta është farz, dhe asnjëra prej tyre nuk lihet pa u falur!”
Shihni njëashtu dhe një ndër librat e shkollës Malikite sikurse “El Meunetu ala Medh’hebi Alim el-Medineh” të Kadi Abdulvehab bin Alij bin Nasr El-Bagdadi (Zoti e mëshiroftë) :
“Nëse Bajrami dhe Xhumaja përkojnë në të njëjtën ditë, atëherë asnjëra prej tyre nuk e përjashton (asgjëson) tjetrën, për dallim nga ai që ka thënë se prania në namazin e Bajramit mjafton për (moskryerjen e) Xhumasë, dhe kjo për shkak të fjalës së Allahut të Lartësuar:
“O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!
Kaptina Xhumuah, ajeti 9.
Dhe fjalës së të Dërguarit të Zotit (Paqja dhe Bekimet e Zotit qofshin mbi të) : “Xhumaja është detyrim për çdo mysliman!”, si dhe për shkak se kushtet e vlefshmërisë së Xhumasë janë të pranishme, prandaj ajo është e detyrueshme për t’u kryer.”
Shih dhe atë që përmend Imam Neveviu (Zoti e mëshiroftë) në “El-Mexhmu’ nga shkolla Shafite ku thuhet se nëse përkon Dita e Bajramit në Ditën e Xhuma, ajo (Xhumaja) falet, ka divergjenca mes dijetarëve se banorët e qytetit e falin kurse banorët e fshatërave që e kanë larg Xhaminë nuk e falin, por në transmetime tjera përmendet se sido që të jetë Xhumaja nuk bie!
Të vetmit që ndahen nga ky mendim janë disa nga transmetimet që vijnë prej shkollës Hanbelite, edhe pse në mesin e tyre ka që thonë se medoemos duhet falur Xhumaja sikurse në librin “El-Mugni” të Ibn Kudames (Zoti e mëshiroftë).
Ajo (Xhumaja) mund të braktiset vetëm për arsye valide, sikurse ; Sëmundja, robëria, burgosja, të qenurit sabij, të qenurit i verbër, të qenurit grua etj.
Problemi qëndron në atë që shumica absolute e dijetarëve pajtohen në atë që Xhumaja nuk braktiset për shkak të Bajramit, kurse një pakicë e vogël pretendojnë se nuk prish punë lënia e saj, por, Xhumaja të nderuar është farz me ajet të drejtëpërdrektë prejkuranor (Delil Kat’ij, argument të prerë)!
Nuk janë të pakta hadithet që flasin për rëndësinë e Namazit të Xhumasë, por, pyetja qëndron si prijnë hoxhallarët xhematit duke kundërshtuar shumicën absolute, si thyejnë bindjet e xhematlinjëve, si thyejnë dhe vet rregullat e Bashkësive Islame, dhe si arrijnë të manipulojnë xhematin e thjeshtë?!

Hoxhë Alban Çuli thotë :
“Një nga fenomenet e këqija të Ditës së Bajramit që qëlloi të ishte ditë e Xhuma, ishte falja e Namazit të Bajramit dhe lëshimi i Namazit të Xhumasë.
Them : Në ditët tona, në të gjitha skenaret e mundshme, Namazi i Xhumasë nuk bie nga obligueshmëria e tij sipas katër medh’hebeve.
Diskutimi fikhor në literaturën e Jurisprudencës, në rastet e Xhumasë në Ditën e Bajramit, nuk vlenë sot për askënd ku në vendbanimin e tij falet Xhumaja, qytet qoftë apo fshat.
Diskutimi fikhor është i vlefshëm për atë individ i cili jeton larg zonave të banimit (fshat/qytet) me një distancë prej 8 deri 17 km, siç mund të jetë ndonjë bari/çoban, ndaj të cilit Xhumaja zakonisht është e rënë nga obligueshmëria. Dhe kush ka marrë në konsideratë mendimin e mosfaljes jo vetëm të Xhumasë por as të drekës, ka marrë përsipër të zbatojë një mendim të pareferueshëm (ar. Shadh) ose siç thotë Ibn Abdulberri “Mendim i refuzueshëm!” (ar. Munkir) nga të gjithë fukahatë (Juristët Musliman).”
Keni frikë Allahun e Madhëruar e mos luani me ndjenjat e popullit për Riza të Tij, ndoshta vonë për këtë reagim, por le të jetë një mësim për të ardhmën, shihni mirë se kush ju prinë, lexoni e para çdo gjëje, ka shumëçka për t’u thënë ndoshta dhe do themi me kohën!
Deri atëherë, Zoti Madhëruar na faltë dhe na mëshiroftë.
/Bekon Ibrahimi/












