Sh.m “Sezai Surroi” respekton Simbolin Kombëtar dhe Alfabetin e Gjuhës Shqipe

0
412

Njoftimi ii sh. m “Sezai Surroi”

Mbahet një orë letrare në vigjilje të festës sonë kombëtare në shkollën e mesme në Bujanoc
Bujanoc, 25 nëntor –

Me rastin e 113-vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit, më 1908 dhe të krenarisë sonë kombëtare Festës së Flamurit, në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, sot është mbajtur një orë letrare.

Kjo orë letrare e organizuar në vigjilje të festës sonë kombëtare u shënua në shenjë respekti dhe nderimi për poetët e njohur të Anamoravës, Ibrahim Kadriut dhe Nexhat Rexhës, të cilët nga opusi i tyre krijues i kanë dhuruar shkollës sonë një numër të konsiderueshëm të veprave letrare, me ç’rast në shenjë nderimi e respekti për krijuesit në fjalë drejtori i shkollës, Zejni Fejzullahu, iu ndau edhe mirënjohje.

Drejtori i shkollës, Zejni Fejzullahu, duke elaboruar për rëndësinë Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe të Festës së Flamurit theksoi: “Ne sot me krenari i përkujtojmë dhe i festojmë këto ditë të rëndësisë sonë historike e kombëtare të cilat janë vepra të mundit dhe sakrificës së poetëve tanë Rilindës dhe një nga sakrificat, zotimet dhe vendimet më të rëndësishme të patriotëve dhe të dijetarëve tanë kombëtarë, ndaj dhe duhet të ndjehemi krenarë dhe mirënjohës ndaj Tyre”.


Në këtë orë letrare, në vigjilje të festës sonë kombëtare folën edhe poetët e ardhur nga komuna fqinje, gjegjësisht nga Klubi Letrar “Nositi” i Dardanës, Nexhat Rexha, Bajram Kallaba dhe Nijazi Kastrati, si dhe poetët nga Kosova Lindore: Nehat Ramizi dhe Sevdail Hyseni, të cilët përpos që folën për rëndësinë e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ata folën dhe për rëndësinë e krenarisë sonë kombëtare – Festën e Flamurit.


“Dita e Flamurit Kombëtar dhe Dita e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar është një ditë që reflekton identitetin tonë kolektiv dhe kombëtar”, janë shprehur ata, duke shprehur edhe dëshirën se “Kjo festë le të jetë dhe të mbetet një bashkim rreth simbolit tonë kombëtar, i cili na ka bashkuar edhe në kohë më të vështira, në luftë dhe paqe, ndaj dhe le të na bashkojë edhe në të ardhmen rreth realizimit të aspiratave tona kombëtare, për të cilat janë zotuar dëshmorët e të gjitha kohërave”.
Më pas poetët; Nexhat Rexha, Bajram Kallaba, Nijazi Kastrati, Nehat Ramizi dhe Sevdail Hyseni i kanë lexuar edhe punimet e tyre dedikuar festave të Nëntorit.
Për mbarëvajtjen e orës letrare dhe aktivitetin në shkollë folën edhe profesorët: Adelina Bruçaj-Hasani dhe Esra Aqifi, si dhe profesori që punoi tërë karrierën e tij arsimore në ketë vatër të Diturisë, Bejzad Abdullahu.
Punimet e zgjedhura poetike i lexuan edhe nxënësit e kësaj shkolle të cilët me paraqitjen e tyre e madhështuan këtë orë letrare.
Drejtoi i Shkollës në fund ndau Mirënjohje për shkrimtarin Ibrahim Kadriun dhe Nexhat Rexhën: Festa e Flamurit dhe festa e librit ruajnë kohët tona.
Po ashtu, drejtori i shkollës, Zejni Fejzullahu, ju dhuroi nga një libër krijim të vetin, poetëve pjesëmarrës në këtë orë letrare.