Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve të Luginës mbetet shqetësues

0
211

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, në postimin e tij të fundit ka adresuar kritika serioze ndaj Qeverisë së Serbisë për moszbatimin e ligjit dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në deklaratën e tij, Rexhepi ka theksuar se mospërputhja mes kornizës ligjore dhe praktikës institucionale vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në pozitën juridike, sociale dhe politike të komunitetit shqiptar.

Deklarata e Kryetarit të KK Driton Rexhepit:

Pavarësisht faktit se korniza ligjore e Republikës së Serbisë parasheh garanci për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, zbatimi i tyre në praktikë mbetet seriozisht i kufizuar. Kjo vërehet veçanërisht në fushat e arsimit, përdorimit zyrtar të gjuhës, punësimit dhe përfaqësimit institucional, ku mospërputhja ndërmjet dispozitave ligjore dhe praktikës konkrete vazhdon të jetë e theksuar dhe shqetësuese.

Procesi i pasivizimit të adresave ka prodhuar pasoja të ndjeshme për komunitetin shqiptar.

Në këtë drejtim, insistimi në minimizimin e këtij problemi nuk kontribuon në zgjidhje, por përkundrazi thellon mungesën e besimit.

Kjo çështje kërkon trajtim institucional serioz, transparencë të plotë dhe vendosje të mekanizmave korrigjues efektivë, në përputhje me standardet demokratike dhe parimet e sigurisë juridike, me qëllim adresimin e pasojave konkrete juridike, sociale dhe politike që kanë rezultuar.

Në fushën e arsimit, ndonëse janë shënuar disa përparime, mungesat në sigurimin e teksteve shkollore adekuate, veçanërisht në arsimin e mesëm, njohja e diplomave të Kosovës, liçencimi, mbeten të pazgjidhura dhe vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe barazinë e procesit mësimor dhe qarkullimin juridik.

Projektet infrastrukturore dhe arsimore janë të mirëpritura dhe përfaqësojnë hapa pozitivë.

Sfidë mbetet barazia reale, integrimi i qëndrueshëm dhe përmirësimi i përgjithshëm i pozitës së komunitetit shqiptar.

Në këtë kontekst, pranimi i hapur i sfidave ekzistuese dhe demonstrimi i qartë i vullnetit politik mbeten parakushte të domosdoshme për arritjen e zgjidhjeve konkrete, të qëndrueshme dhe të besueshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here