Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Luginën e Preshevës – apel për kujdes në komunikacion

0
261

Sipas parashikimeve të meteorologëve, nga dita e premte në rajonin e Luginës së Preshevës pritet një ndryshim i theksuar i motit. Temperaturat do të ulen ndjeshëm, ndërsa reshjet e borës do të jenë të pranishme në zonat e larta, por parashikohet që bora të zbresë edhe në zonat më të ulëta të rajonit.

Ky ndryshim i motit paraqet veçanërisht rëndësi për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Për shkak të lagështisë, ngricave dhe reshjeve të mundshme gjatë ditës dhe natës, rrugët mund të bëhen të rrëshqitshme, duke rritur rrezikun e aksidenteve.

Për këtë arsye, rekomandohet fuqimisht që shoferët të jenë të pajisur me pajisjet dimërore – goma dimërore, zinxhirë dhe mjetet tjera ndihmëse të detyrueshme. Kjo nuk është vetëm një masë sigurie për të mbrojtur jetën dhe pasurinë tuaj, por edhe një detyrim ligjor. Mosrespektimi i këtij rregulli sjell gjoba të parashikuara me ligj, ndërsa zbatimi i tij ndihmon në shmangien e situatave të rrezikshme në rrugë.

Apelojmë të gjithë shoferët që të përgatiten në kohë për kushtet e reja atmosferike dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes. Siguria në rrugë varet nga secili prej nesh./LajmiAL/