Partia Radikale Serbe (SRS) i ka bërë thirrje sot Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Marija Obradoviç, që në përputhje me kompetencat e saja “menjëherë” të fillojë procedurat për shkarkimin e kryetarit të komunës së Bujanocit, Nagip Arifit, për shkak të, siç kanë theksuar, sjellje dhe veprime antikushtetuese kundër Republikës së Serbisë, raporton agjencia Beta, përcjell medium lokal në gjuhën serbe bujanovacke.
Në deklaratë, Radikalët kanë potencuar se Arifi në fshatin Tërnoc i Madh ka vendosur kurorë në lapidarian e, siç kanë thënë ata “njërit prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare terroriste të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Ridvan Qazimi, i njohur si Komandant Lleshi”.
“Republika e Serbisë nuk duhet të lejojë më lëvizje të tilla anti-shtetërore nga zyrtarë të komunës serbe të Bujanocit dhe i bën thirrje Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale Marija Obradoviç që menjëherë, në përputhje me kompetencat e saj, të fillojë procedurat në Asamblenë Komunale të Bujanocit për shkarkimin Arifit” kanë thënë në Partinë Radikale të Sërbisë.
Pavarësisht se marrëveshja mes palës shqiptare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve nëkupton amnesti të plotë për isht ushtarët e UÇPBM-ës, edhe më tej Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ridvan Qazimi dhe të gjithë dëshmorët e UÇPBM-ës, vazhdojnë të konsiderohen si terroristë nga mediat dhe subjektet politike serbe.

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi gjatë manifestimit të përvjetorit të Komandant Lleshit me nderimet më të larta u përkul para pllakës përkujtimore te vendi i rënies “Gurt e Buajve” mbi Tërnoc, duke mos harruar edhe fjalimin e tijë në akademinë përkujtimore, ku potencoi amanetin e dëshmorëve të kombit dhe vrasjen tinzare të Ridvan Qazimit./LajmiAL.












