Nisi sot, muaji i shenjtë i Ramazanit

0
320

Besimtarët myslimanë në mbarë botën kanë nisur sot muajin e shenjtë të Ramazanit muaj ky që për tridhjetë ditë besimtarët e devotshëm agjërojnë në emër të sakrificës ndaj Zotit.

Të nderuar vëllezër!

Trokitja në derë e këtij mysafiri të nderuar është një sihariq i mirë për të gjithë muslimanët, të cilët i kaplon gëzim i madh. Gëzimi nuk është vetëm i të rriturve, ai njësoj i kaplon edhe ata më të vegjlit, për të cilët akoma nuk është obligim agjërimi i këtij muaji.

Ditët e këtij muaji kanë një shije të veçantë, një shije të ëmbël, të këndshme, të lezetshme dhe qetësuese; zemrat e të devotshmëve lakmojnë mirësitë dhe begatitë e Krijuesit. Është muaj i mëshirës, muaj kur zemrat e thara nga malli për të, sërish fitojnë njomësinë dhe gjallërinë.

Muaji i Ramazanit është një stinë e mëshirës hyjnore që i pajis besimtarët me pjekuri dhe virtyte, muaj të cilin e dalloi me zbritjen e Kur’anit, librin e përkryer dhe plot dritë, udhëzues i qartë për të gjitha krijesat. Thotë Allahu xh.sh.:

Të nderuar vëllezër!

Duhet ditur se agjërimi i muajit të Ramazanit është ndër pesë shtyllat themelore mbi të cilat ngrihet Islami. Agjërim do të thotë që njeriu, për një kohë të caktuar, të ndalojë veten prej një sërë gjërash, si ushqimi, pija, marrëdhëniet seksuale etj., si dhe të mbrojë anën shpirtërore prej çdolloj ligësie moralo-shpirtërore, siç janë gënjeshtra, të përfolurit etj.

Vlera e këtij muaji të madhërishëm është shumë e madhe, kurse dobitë e agjërimit të tij janë të panumërta. E themi këtë duke u bazuar në një numër të madh të transmetimeve që flasin lidhur më agjërimin e këtij muaji dhe të mirat që sjell me vete Ramazani.

Muhamedi a.s. gjithmonë në prag të këtij muaji i porosiste shokët e tij për vlerën e këtij muaji dhe dobitë që ka Ramazani. Transmetohet nga Selman el-Farisij të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: “O ju njerëz, ju ka ardhur juve një muaj i madhëruar e i bekuar, në këtë muaj është një natë më e vlefshme se një mijë muaj.

Ky është muaj i sabrit (durimit), e shpërblimi për sabër është vetëm Xhenneti. Ky është muaj në të cilin shtohet furnizimi i besimtarit. Ai që i jep iftar një agjëruesi, është shpagim për mëkatet që ka bërë, e largon nga vetja zjarrin e Xhehennemit, dhe e ka shpërblimin e njëjtë me agjëruesin pa i pakësuar asgjë nga shpërblimi agjëruesit.

Agjërimi i këtij muaji mundëson pastrimin shpirtëror dhe faljen e gabimeve të vogla duke marrë parasysh fjalët e Resulullahut s.a.v.s.:

“Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma dhe Ramazani deri në Ramazan i shlyejnë mëkatet e bëra në mes tyre, në qoftë se largohet nga mëkatet e mëdha.”

Të nderuar vëllezër!

Allahu xh.sh. këtë muaj e ka bërë arenë për robërit e tij, ku muslimanët do të bëjnë gara në lloj-lloj adhurimesh. Muaji i Ramazanit është një mundësi për pastrim të shpirtit dhe filtrim nga urrejtja, zilia, smira dhe mllefi, sëmundje këto që e zbrazin zemrën nga dashuria dhe dobësojnë imanin. Nuk është qëllimi kryesor i agjërimit vetëm heqja dorë nga ngrënia dhe pirja, por agjërimi ka për synim të bëhemi te kujdesshëm edhe për gjuhën tonë, që ajo të mos shqiptojë të pavërteta, për syrin tone, që ai të mos shikojë të ndaluarën, për duart, këmbët dhe veshët tanë – që këto gjymtyrë të jenë larg të këqijave dhe të ndaluarave.

Ai që e pret Ramazanin me gjuhën e tij përplot me përgojime dhe bartje të fjalëve, syrin të drejtuar nga harami, veshin duke dëgjuar haramin, i padëgjueshëm ndaj prindërve, nuk i përfill raportet familjare, nuk u flet vëllezërve të vet, – ai e ka shumë vështirë të përfitojë nga Ramazani. Thënë shkurt, agjëruesi duhet të jetë në dijeni se është nën kontrollin e të Plotfuqishmit, duhet të ketë druajtje nga Ai, i përulur ndaj mëshirës dhe faljes së Tij. Muhamedi a.s. ka thënë :

“Kush prej jush agjëron, atëherë le të agjërojnë edhe veshët, sytë, dhe gjuha jote nga gënjeshtra e gjërat e tjera të ndaluara. Largohu nga dëmtimi i fqiut. Në ty le të vërehet agjërimi dhe dita e agjërimit tënd të mos jetë si dita kur nuk agjëron.”
Pastaj:

“Ai që nuk i lë fjalët e rrejshme dhe veprimet sipas tyre, Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen.”

Vëllezër të nderuar!

Në këtë muaj besimtarët e ndershëm i përvjelin krahët për ta respektuar Allahun xh.sh., duke i falur namazet me xhemat, duke falur teravinë me imam, duke lexuar Kur’an me meditim, frikë e respekt, duke shtuar bamirësinë ndaj prindërve, duke u sjellë me dashuri e dhembshuri ndaj tyre, duke u sjellë mirë me gruan, fëmijët e familjen dhe mbarë farefisin, duke i udhëzuar ata me fjalë të mira, duke u dhënë sadaka nevojtarëve, qofshin ata të afërt, fqinjë apo të largët, sepse kështu kanë vepruar muslimanët e mirë gjatë këtij muaji.
Namazet dhe veçanërisht teravitë e namazi i natës, duhet t’i sigurojnë zemrës qetësi e kënaqësi.

Duatë në këtë muaj janë të pranuara, prandaj të mos ngurrojmë nga lutjet në kohën e iftarit, sepse në ato momente Allahu xh.sh i pranon lutjet e sinqerta nga robërit e vet. Po ashtu në agimin e hershëm të mëngjesit, në kohën e syfyrit mëshira e Allahut zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: “A ka kush që më lutet, që t’i përgjigjem?”, prandaj të mos e privojmë veten nga këto dhunti të mëdha hyjnore, por të lutemi, se ndoshta Allahu xh.sh. na kaplon me mëshirën e Ramazanit, na i fal mëkatet dhe dalim nga ky muaj të shpëtuar nga zjarri i Xhehennemit.

Agjërimi bënë të njihet vlera e mirëfilltë e veprave të mira. Ai zgjon ndjenjën e falënderimit, krijon vetëdijen për ta kuptuar hallin e të vuajturve, ndarjen e dhimbjes dhe vuajtjes me ata duke zgjatur dorën e dashurisë dhe ndihmës drejt tyre me zekat dhe sadaka. Në këtë mënyrë edhe njerëzit e vetmuar e të varfër bëhen të lumtur.
“Një burrë shkon te Pejgamberi a.s. dhe e pyet:

Ashtu si namazi që duhet të falet me përkushtim në mënyrë që zemra të zbutet, edhe agjërimi ka disa imtësi që njeriun e orientojnë nga ndjeshmëria dhe sinqeriteti. Si shembull është edhe një nga këto porosi profetike; ”Nxitoni në iftar, kurse syfyrin shtyjeni!..”

Të nderuar vëllezër!

Një segment tjetër, mbi të cilin duhet të përqendrojmë vëmendjen gjatë këtij muaji të mëshirës, është edhe përjetimi i natës së Kadrit.
Kjo është natë në të cilën Allahu xh.sh. shpërndan mëshirë të pafund për ymetin e Muhamedit a.s.. Për vlerën e kësaj nate ka zbritur madje edhe një kaptinë e veçantë. Kjo natë duhet jetësuar me ibadet ndaj Allahut xh.sh., me shpresë për faljen dhe shpërblimin e Tij. Muhamedi a.s. ka thënë:

“Ai që e kalon Natën e Kadrit me adhurim dhe falje duke shpresuar shpërblimin vetëm prej Allahu, atj i falen të gjitha mëkatet që ka bërë më herët”.

Besimtarë të nderuar!

Ne jemi udhëtarë mbi anijen që lundron dhe e cila nuk ka të ndalur. Gjërat vijnë e shkojnë me shpejtësi, por zemrat e besimtarëve të sinqertë do të vuajnë mallin e këtyre ditëve shpirtërore që largohen me shpejtësi. Ndarja prej këtij muaji të faljes, mëshirës dhe lirimit nga zjarri i Xhehennemit, do t’i bëjë të bindur dhe të ruajtur që të derdhin lot lamtumire.

Atëherë, le të bëhemi në këtë muaj, qendër e ndriçimit, llambë e udhëzimit, kujdestarë të nderit, lexues të vazhdueshëm të Kur’anit, luftues të imoralitetit, krenarë me fenë tonë, të lartë në dinjitetin tonë, mbrojtës të moralit të pastër, mospërfillës ndaj atyre që ftojnë për gjëra të ndyta e të dëmshme, të largohemi nga imitimi i pabesimtarëve dhe amoralëve, të bëhemi respektues ndaj prindërve, familjes dhe shoqërisë, të hapim një faqe të re dhe të pastër të besatimit me Allahun, ta mbulojmë e ta harrojmë të kaluarën, t’i kthehemi me shpresë së ardhmes e të pendohemi tek Allahu, i Cili është Pranues i pendimit dhe Falës i çdo mëkati.


Zoti na ndihmoftë që ta kryejmë agjërimin e këtij muaji me përkushtim të plotë, na e bëftë jetën e kësaj bote Ramazan, kurse mëngjesin e Kiametit – bajram(festë) të vërtetë dhe na bekoftë me këtë Kur’an madhështor e na bëftë prej atyre që të kenë dobi nga këshillat dhe mësimet e larta të Ramazanit fisnik.! ( Amin).