“Në Serbi të pasivizuar e në Kosovë të pa-identifikuar”

0
499

Kadriu: Edhe pas 20 viteve luginasit e dëbuar pa dokumente, qeveritë e Kosovës na kanë parë si target votash dhe përfitime elektorale e financiare

Shqiptarët e Luginës së Preshevës të shpërngulur në qytete të ndryshme të Kosovës, veçmas në Gjilan, për më shumë se dy dekada vazhdojnë të jenë njerëz me gjysmë identiteti

Shpesh është ngritur zëri që ata të kenë statusin e rregulluar, qeverisjet lokale por edhe ato qëndrore njëra pas tjetrës premtuan zgjidhjen e këtij problem, por ata edhe sot e kësaj dite mbetën: “në Serbi të pasivizuar e në Kosovë të pa-identifikuar”.

Lëvizja Qytetare “Vatra” me sëli në Gjilan e cila është themeluar pikërisht nga luginasit e shpërngulur në Kosovë, disa herë ka ngritur këtë çështje, shpesh edhe ka kundërshtuar qëndrimet e institucioneve lokale dhe qëndrore të Kosovë për mos interesim ndaj shqiptarëve të Luginës, por e gjitha ka kaluar në veshë të shurdhët.

Në një deklaratë për portalin Lajmi-AL, Kushtrim Kadriu kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, me seli në Gjilan thotë se “Gjendja e luginasve të dëbuar në Kosovë është tepër e palakmueshme. Ata diskriminohen në të gjitha sferat jetësore. Diskriminohen në punësim, në shkollim dhe në të drejtat civile.

Tash e 22 vjet këta banorë nuk u pajisën dot me dokumente indentifikimi, nuk iu dhanë letërnjoftime edhe pse i plotësojnë të gjitha kushtet për një gjë të tillë.

Përpos diskriminimit, ata u fyen dhe madje edhe u kërcënuan me shkakun e vetëm pse janë nga Kosova Lindore” thotë Kadriu.

Sipas tij, ky fenomen mjaft i përhapur kohëve të fundit po del gjithnjë e më shumë në shesh.

Kadriu gjithashtu kritikon edhe institucionet qëndrore për mos interesim për luginasit që jetojnë në Kosovë.

“Deri tani institucionet e Kosoves nuk kane qenë fare të interesuara të përmiresojnë gjendjen e shqiptarëve të dëbuar nga Kosova Lindore. Çështjen e Luginës gjitha qeverite e kanë parë si target votash dhe përfitime elektorale e financiare.

Ta marrim shembull në zyren për Preshevë gjithnjë kanë emeruar persona të padijshëm të cilët kurr nuk kanë bërë asgjë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ne si “Vatër” deri tani kurr nuk kemi pasur bashkëpunim me asnjë qeveri të Kosovës dhe shpresojmë që z. Kurti të bashkëpunojë me ne në menyrë të sinqertë me qëllim zgjidhjen e problemeve me të cilat përballemi në  tash e shumë vite” thonë Kushtrim Kadriu kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, me seli në Gjilan.

Nga ana tjetër kthimi i të zhvendosurve në vatrat e tyre në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, veçmas në Malësinë e Bujanocit, Karadakun e Presevës dhe vendbanimet e Medvegjës mbetet një shpresë e “shuar” kjo për faktin se mungesa shumëvjeçare e banorëve ka bërë që shtëpitë e tyre edhe ashtu të stërvjetruara të demolohen pothuajse në tërësi, ndërsa  tokat të bëhen të pa-punueshme.

Pamvarësisht investimeve në infrastrukturë nga pushtetet lokale, kthimi i banorëve edhe më tej mbetet vetëm një shpresë, ngase kushtet ekonomike janë ato të cilat përcaktojnë kthimin e tyre, ndërkohë që pushtetet lokale e kanë të vështirë të marrin mbi supe zhvillimin ekonomik në këto zona. E vetmja gjallëri në këto zona mbetën ato pak familje të cilat çdo ditë përballen me kushte të vështira sociale./Lajmi-AL/