Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, vizitoi Shtëpinë e Kulturës të komunitetit Romë në Leskoc – e vetmja shtëpi e kulturës e këtij komuniteti në Serbi.
Gjatë vizitës, ministri zhvilloi një bisedë me drejtorin e këtij institucioni të rëndësishëm, Sreçko Zhivkoviq, mbi pozitën e pakicës kombëtare rome, sfidat me të cilat ajo përballet dhe projektet që synojnë ruajtjen dhe zhvillimin e traditës e kulturës rome.
“Institucione si kjo, me përkushtimin dhe punën e tyre, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e artistike të romëve. Për këtë arsye, ato do të kenë gjithmonë mbështetjen e ministrisë, e cila do të angazhohet për mbrojtjen e interesave të këtij komuniteti në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore,” theksoi ministri Berisha, thuhet në faqen e ministrisë.
Në anën tjetër, shqiptarët në Luginë të Preshevës – ndonëse përfaqësohen nga institucione të dala nga zgjedhjet legjitime si Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) – vazhdojnë të mbeten peng i inateve politike të brendshme. Këto përçarje po reflektohen drejtpërdrejt në mungesën e bashkëpunimit me institucionet qendrore të Beogradit, duke bërë që një sërë mundësish ligjore dhe përfitimesh konkrete të mbeten të pashfrytëzuara.
Në një kohë kur komunitete të tjera, si ai rom, po arrijnë të sigurojnë mbështetje institucionale për projektet e tyre kulturore, arsimore e sociale, shqiptarët rrezikojnë të mbeten prapa për shkak të inateve personale apo kolektive.
Është e qartë se kjo gjendje nuk favorizon askënd përveç atyre që përfitojnë nga pasiviteti institucional, ndërsa dëmton drejtpërdrejt interesat e qytetarëve shqiptarë që, me të drejtë, duhet të përfitojnë nga çdo e mirë që u takon dhe i garantonë ligji.
Ministri Berisha mbetet i përkushtuar ndaj dialogut me KKSH
Ministri Berisha theksoi se ai vazhdon të qëndrojë në pikëpamjen se dialogu mund të zgjidhë gjithçka dhe mbetet i palëkundur në këtë drejtim.
Ai është i gatshëm për dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, duke nënvizuar se qëllimi kryesor është të sigurohet përparimi dhe mbrojtja e interesave të komunitetit shqiptar në Serbi.












