Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, ka dënuar në mënyrën më të ashpër sulmet dhe thirrjet për linçim ndaj familjes së një furre buke të përkatësisë kombëtare shqiptare nga Surdulicë, të cilat pasuan pas një aksidenti trafiku në këtë vendbanim, ku humbi jetën një banor lokal.
Ministri theksoi se është e papranueshme që një tragjedi të keqpërdoret për përhapjen e urrejtjes, thirrje për dëbim dhe dënim kolektiv mbi bazë të përkatësisë kombëtare, duke rikujtuar se thirrjet për linçim dhe dhunë përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe të vlerave themelore të shoqërisë sonë.
“Humbja e një jete njerëzore është një tragjedi që kërkon dhembshuri dhe respekt ndaj familjes së viktimës. Por asnjë aksident nuk mund dhe nuk guxon të jetë arsye që një familje e tërë apo një komunitet të vihet në shënjestër për shkak të përkatësisë së tij kombëtare”, theksoi ministri Berisha, duke shtuar se thirrjet për linçim nuk e shërojnë dhimbjen dhe fatkeqësinë.
Ai vuri në dukje se përhapja e mesazheve të urrejtjes në hapësirën publike dhe përmes rrjeteve sociale mund të rrezikojë më tej sigurinë e qytetarëve dhe të dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike.
“Serbia është shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Vetëm përmes respektimit të ligjit dhe përgjegjësisë mund të ruajmë stabilitetin dhe besimin e ndërsjellë. Urrejtja dhe hakmarrja nuk guxojnë të jenë përgjigje ndaj tragjedisë”, porositi ministri Berisha, thuhet në faqen e ministrisë.












