Kush do ta ketë guximin të dalë në skenë pa dirigjent?

0
270

Burime nga pushteti lokal: “Arifi nuk e përjashtonë mundësinë t’i bashkohet koalicionit qeverisës, por frika nga PVD e mban peng”

Bujanoc – Burime brenda koalicionit aktual qeverisës në Komunën e Bujanocit pohojnë se Partia Demokratike (PD), e udhëhequr nga Nagip Arifi, po ndikohet gjithnjë e më shumë nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Shaip Kamberit, deputet në Kuvendin e Serbisë, madje të njejtit thonë se PD është në heshtje duke u shkatërruar.

Sipas këtyre burimeve, PD ndodhet në një situatë të brishtë politike, ku mungesa e kurajos për të marrë vendime të pavarura po e bën partinë të varur nga orientimet e PVD-së, e cila të vetmin kundërshtarë politik si konkurrent e sheh PD-në

“Ka një mungesë të theksuar të vendosmërisë në PD. Edhe pse Arifi e sheh si opsion të pa shuar mundësinë që t’i bashkohet koalicionit qeverisës aktual, frika nga sulmet dhe kritikat e drejtuesve të PVD-së po e mban të bllokuar,” – ka deklaruar për portalin tonë një burim nga koalicioni qeverisës në Bujanoc.

Sipas të njëjtit burim, disa figura brenda PD-së janë të gatshëm që në zgjedhjet e ardhshme lokale ta mbështesin Shaip Kamberin si kandidat për kryetar komune, duke e konsideruar atë “më të fortë politikisht” se Arifin.

“Në PD ka njerëz që Arifin nuk e shohin më si udhëheqës. Disa prej tyre kanë qenë përfituesit kryesorë gjatë periudhës kur PD udhëhiqte me pushtetin lokal, madje kanë sin ë hajgare edhe kanë reketuar, e sot janë të njëjtët që veprojnë prapa shpinës së tij,” – thekson burimi ynë.

Po të njëjtët që sot e kundërshtojnë Arifin, dikur përfitonin më së shumti nga pushteti. Mungesa e atyre përfitimeve i ka lënë të zhgënjyer dhe të irrituar – “si qeni i qartun” – duke kërkuar ndryshime vetëm për interesa personale dhe për ta kthyer egon.

Nëse këto pretendime vërtetohen, zhvillimi do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në raportet mes dy partive shqiptare në Bujanoc, të cilat tradicionalisht kanë rivalizuar për ndikim institucional dhe pushtet lokal.

Nga ana tjetër, vlen të theksohet se Shaip Kamberi, përveç se është deputet i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ka lidhje të mira bashkëpunimi edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, veçanërisht me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, madje PVD në këtë aspect ka krijuar monopol dhe nuk lejon asnjë subject që ti afrohet Kurtit

Kjo, sipas njohësve të zhvillimeve politike në Luginë, i jep Kamberit një pozicion të veçantë ndikimi si në skenën politike lokale në komunën e Bujanocit, ashtu edhe në raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë në Luginë.

Edhe pse shpesh është përfolur si i tërhequr në vendimmarrje, Nagip Arifi nuk njihet si politikan që gjunjëzohet. Kapaciteti i tij politik është shumë më i gjerë sesa e perceptojnë disa, veçanërisht ata që nuhasin më larg se sa shohin me sy.

Tash, kur karriera e tij politike po i afrohet një etape të re (pensionit), duket se ka ardhur momenti që Arifi edhe njëherë ta dëshmojë energjinë dhe aftësinë e tij politike, si përballë PVD-së, ashtu edhe disa figurave shkurtpamës brenda vetë PD-së, të cilët e duan përfitimin e partisë, por lakmojnë në grazhdin e huaj.

Në anën tjetër, Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) shihet nga shumë aktorë politikë si një subjekt lakmitar, që orientohet nga çdo drejtim prej nga fryn era e interesit politik.

Megjithatë, ky fleksibilitet nuk e bën atë subjekt stabil në vendimmarrje apo faktor që krijon situata të pavarura e jo të nënshtruara.

Sipas burimeve brenda pushtetit lokal, LPD shpesh ka shfaqur dëshirën e hapur për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës, por nuk gëzon mbështetjen e nevojshme nga Fronti për të hyrë si partner i vetëm, për shkak të mungesës së besueshmërisë politike dhe pozicionit të paqartë në raport me subjektet e tjera shqiptare në Bujanoc.

Pushteti aktual në Komunën e Bujanocit po udhëheq ashtu si të gjithë paraardhësit – as po fundoset, por as nuk po arrin rezultate sikur me shkop magjik. Megjithatë, drejtimi institucional po vazhdon në mënyrën që konsiderohet më e qëndrueshme në rrethanat aktuale. Koalicioni me palën serbe, për disa shihet si një akt kompromisi të domosdoshëm për funksionimin e komunës, ndërsa për të tjerë si një lloj tradhtie politike – një debat i vjetër që rikthehet sa herë që pushteti kërkon balancë. Në fund të fundit, një bashkëqeverisje e tillë nuk është risi, por një praktikë që pothuajse të gjithë e kanë përjetuar më parë.

Në fund, skena politike në Bujanoc duket më e ndërlikuar se kurrë. Aleancat ndryshojnë nga dita në ditë, ndërsa interesat personale shpesh mbizotërojnë mbi idealet politike. PVD përpiqet të ruajë kontrollin, PD kërkon t’i rikthejë dinjitetin vetvetes, e LPD endet mes ambicies dhe mungesës së besueshmërisë.

Në këtë mozaik politik, vetëm ata që kanë guximin të mendojnë me kokën e tyre mund të mbijetojnë.

Pyetja e vetme nuk është më kush dirigjon kë, por kush do të ketë guximin të dalë në skenë pa dirigjent./LajmiAL/