MPB del me paralajmërim të rëndësishëm për qytetarët: Të përfshira edhe shërbime nga jashtë
Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Drejtoria për Teknikë dhe Shërbimi për Luftimin e Kriminalitetit të Teknologjisë së Lartë (KTL), ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për qytetarët për shkak të rritjes dramatike të mashtrimeve në internet.
Mashtruesit po keqpërdorin emra dhe figura të personaliteteve publike, kryesisht politikanë dhe gazetarë të njohur, për të joshur qytetarët në skema të rreme investimi.
“Këto mashtrime shfaqen më së shpeshti në formë reklamash të sponsorizuara në rrjetet sociale, portaleve të rreme në internet dhe video-incizimeve, përfshirë edhe të ashtuquajturat përmbajtje ‘deepfake’, ku personalitete publike paraqiten pa autorizim si promovues të investimeve gjoja të sigurta dhe me fitim të lartë.
Bëhet fjalë ekskluzivisht për veprime mashtruese, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm material, ku qytetarët e dëmtuar shpesh mbesin pa shuma të konsiderueshme parash”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Të përfshira edhe shërbime nga jashtë
Më tej theksohet se “Shërbimi për Luftimin e Kriminalitetit të Teknologjisë së Lartë, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, ka ndërmarrë masa konkrete operative që kanë rezultuar me mbylljen e domeneve të internetit të përdorura për këto mashtrime, përfshirë edhe domene ku është keqpërdorur drejtpërdrejt figura dhe identiteti i gazetarëve të njohur, me qëllim që përmes autoritetit të rremë dhe dukjes së kredibilitetit të mashtrohen qytetarët.
Puna për zbulimin e personave përgjegjës dhe infrastrukturave të lidhura jashtë vendit po vazhdon me intensitet të shtuar”.
Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të jenë veçanërisht të kujdesshëm, të mos u besojnë ofertave që premtojnë fitim të shpejtë dhe të sigurt, të mos lënë të dhëna personale dhe financiare në faqe interneti të paverifikuara, si dhe çdo përmbajtje të dyshimtë ta raportojnë tek organet kompetente.
“Shërbimi për Luftimin e Kriminalitetit të Teknologjisë së Lartë do të vazhdojë, në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e formave të kriminalitetit të teknologjisë së lartë”, thuhet në njoftimin e MPBS-së.












