Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, u prit në Tiranë nga Ministrja Elisa Spiropali

0
120

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, së bashku me përfaqësues të KKSH-së, u prit sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nga Ministrja znj. Elisa Spiropali.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe mbi nevojën urgjente për një qasje të përbashkët, programatike dhe sistematike në adresimin dhe zgjidhjen e drejtë të problemeve me të cilat përballen shqiptarët në këtë rajon.

Në fokus të bisedimeve ishin çështje të rëndësishme si pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, përjashtimi i komunitetit shqiptar nga jeta institucionale, si dhe vazhdimi i mohimit të së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.

Kryetari Rexhepi falënderoi Ministren Spiropali për mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, si dhe për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim të vazhdueshëm në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Po ashtu, u shpreh mirënjohje edhe ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd për koordinimin dhe angazhimin e vazhdueshëm në adresimin e këtyre çështjeve.

“Më shumë Shqipëri dhe Kosovë në Luginë do të thotë më shumë shpresë për shqiptarët e Luginës. Bashkë jemi më të fortë”, u theksua në përfundim të takimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here