KF Tërnoci shpallet kampion i ligës, kalon një rang më të lartë

0
282

Pas një sezoni të shkëlqyeshëm, dje edhe zyrtarisht Klubi Futbollistik “Tërnoci” është shpallur kampion i ligës, për t’u ngjitur në një nivel më të lartë garash.

Në postimin e kryesisë së klubit ndër të tjerash thuhet se, KF “Tërnoci” është një ekip shumë kompakt dhe shumë i përgatitur, me të gjitha repartet që funksionuan në nivele maksimale.

Portierët ishin gardianë të vërtetë, mbrojtja tejet stabile, mesfusha fantastike dhe sulmi superiorë.

Me 108 gola të shënuar dhe vetëm 20 të pranuar.

Sikur kjo të mos mjaftonte edhe pankina ishte e gatshme në çdo moment, kështu që, secili lojtar mund të zëvendësonte tjetrin në fushë. Falënderojmë djelmoshat që duke djersitur fanelën e shenjtë të ekipit të tyre të zemrës dhanë maksimumin në çdo ndeshje.

Stafi teknik, në krye me trajnerin meritojnë lëvdata pafund, që me përkushtimin e tyre përgatitën ekipin në mënyrë shembullore, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktiko-teknik.

Mjekët tanë u përkujdesën për shëndetin e futbollistëve në çdo kohë dhe në çdo vend. Ju faleminderit të nderuar mantelbardhë.

Sponsorët, donatorët, reklamuesit në stadium ishin me ne përherë. Pa ndihmën e tyre zor se do t’ja dilnim.

Mërgata jonë më afër se kurrë klubit të zemrës. Mbështetja e tyre jo vetëm që na mundësoi fillimin e sezonit, por edhe na motivoi drejt qëllimit tonë, kalimit në ligën zonale. Ju jeni heronjtë tanë!

Edhe pse në rrethana pandemie, „Agallart“ për ne mbesin lojëtari i 12-të. Festa e tyre me rastin e shpalljes kampion, ishte një kurorë e gjithë mungesës së tyre në tribina. Faleminderit tifozeri! Faleminderit të gjithëve, që nga viti 1976 e këndej: ish-futbollistë e trajnerë, donatorë, sponsorë, struktura udhëheqëse të klubit, bashkëfshatarë e bashkëkombas.

Ne vetëm se kemi vazhduar një rrugëtim të nisur nga ju, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e KF “Tërnocit”