Ismail (Pajazit) Ademi/aga Mali/ (1926-2007) -elektricisti

0
976

Ismail Ademi, i njohur si aga Mali lindi në Tërrnoc në vitin 1926, në lagjen e “Strukarve”. Ishte djali i Pajazitit dhe Azemines. Sipas rrëfimit të nipit të tij, profesorit Hajredin Ademi, i pari i kësaj familjeje ishte zhvendosur nga Devetini dhe ishte vendosur në Tërrnoc.

Siç rrëfen ai, familja e agës Mali njihej si familje e devetinëve. Këta si familje ishin të shpërngulur në vitin 1878, për t’u vendosur në Tërrnoc. Përndryshe, familje të devetinëve kishte edhe në fshatin Osllare e Bilinicë.

Nga kjo familja e devetinëve, të vendosur te strukartë, Ademi la djemtë Pajazitin dhe Abazin. E aga Mali ishte i Pajazitit.
Aga Mali Shkrim leximin e kishte mësuar në shkollat e natës dhe në ushtri.
Në moshën 25 vjeçare, me disa bashkëvendas nga Madeni i Tërrnocit ku ishin të punësuar dërgohen në Bor për të mësuar zanatin e elektricistit.

Pasi marrin zanatin, pas një viti kthehen të aftësuar dhe punësohen në repartin shtetëror “Elektrodistribucionit” të Leskocit në Bujanoc -Tërrnoc.
Me t’u punësuar nisën elektrifikimin e fshatit. Fillimisht te “Strukartë” e më pas edhe në fshat. Vullnetrisht aga Mali elektrifikoi tri xhamitë e fshatit pa pagesë.
Si mjeshtër kontribuoi mjaft në këto anë, sepse të rrallë ishin mjeshtrit e këtij zanati.
Gjetë ushtrimit të profesionit të elektricistit, aga Mali kishte një vullnet të fortë, ishte njeri komunikativ e njihej si humorist.

Më pas, zanatin e tij e trashëgoi djali i tij, Hamidi. Vlen të theksohet që aga Mali me familje ndërtoi shtëpi nën fshat dhe ndërtoi një çezme, që njihej si “Çezma e agës Mali”. E ai vend njihej si stacion ndaljeje i autobusit Preshevë-Tërrnoc.

Aga Mali vdiq në vitin 2007. Pas vetes la vajzën Vailen, dhe djemtë Vaxhidin e Hamidin.

Në foto: aga Mali, elektricisti

Shkrimin ee përgatiti: Nehat Salihu