GRATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË GATSHME PËR ZGJEDHJET E 13 NËNTORIT (FOTO)

0
204

Kryetari i ardhshëm i Këshillit Kombëtar Shqiptar Agim Haliti sot para Forumit të Gruas të Partisë Demokratike ka shpalosur programin për zgjedhjet e KKSh-së që do të mbahen më 13 nëntor 2022.

Para të pranishmeve, Haliti theksoi se po fillon kampanjën pikërisht me gratë, nënat dhe motrat shqiptare, të cilat përherë kanë qenë dhe mbeten shtylla kryesore e familjes. Kryetari Agim Haliti gjithashtu u ndal edhe te përdorimi i simboleve kombëtare, ku gjatë mandatit që po lëmë pas, flamuri është përdorur vetëm për paraqitje mediatike, por nuk është punuar mjaftueshëm për zgjidhjen e përdorimit të lirë të tij.

Ai nuk la pa përmendur edhe detyrimin e nxënësve shqiptar që në ditën e parë të mësimit të këndojnë himnin “Bozhe Pravde” dhe premtoi se nga viti i ardhshëm do të këndohet himni kombëtar shqiptar “Rreth flamurit të përbashkuar”.

Kryetarja e FRPD-së Adelina Bruçaj Hasani elaboroi rëndësinë që ka Këshilli Kombëtar Shqiptar, dhe arsyen pse duhet që secila të dal për të votuar Partinë Demokratike me numrin 1.

Kandidatja për këshilltare në KKSh, Pajtesa Jahiu Rexhepi u ndal në problematikën e përdorimit të dygjuhësisë. Ajo premtoi angazhim maksimal që përdorimi i gjuhës shqipe të përdoret në të gjitha institucionet publike.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike Nagip Arifi u shpreh i bindur se Agim Haliti do të jetë kryetar i KKSh-së, dhe së bashku me të gjithë anëtarët tjerë në listë do të jenë të angazhuar që problemet në arsim, kulturë, informim e përdorim të simboleve kombëtare të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme.

Në mesin e të pranishmeve kishte edhe profesoresha, të cilat potencuan problemin e teksteve shkollore, të cilat sipas tyre është bërë shumë zhurmë mediatike, por ato nuk po mund të përdoren përshkak të mospërputhjes së planeve mësimore me temat në ato tekste.