Çmimi i energjisë elektrike gjatë natës është katër herë më i ulët – ja disa këshilla për kursim

0
309

Në kulmin e sezonit të ngrohjes, shteti (Serbia) ka vendosur masa shtesë lehtësuese për konsumatorët energjetikisht të cenueshëm, me qëllim që t’u lehtësohet pagesa e faturave të energjisë elektrike qytetarëve me të ardhura më të ulëta. Kjo masë, e cila hyri në fuqi në nëntor, do të vlejë deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm.

Të drejtën për ulje të faturës së energjisë elektrike e kanë të gjithë ata që fitojnë statusin e konsumatorit energjetikisht të cenueshëm. Në këtë kategori përfshihen:

  • pensionistët me pension minimal,
  • veteranët dhe invalidët e luftës,
  • përfituesit e ndihmës sociale dhe formave të tjera të mbështetjes,
  • familjet me gjendje materiale të kufizuar.

Sa i përket përmasave të lehtësimeve, pensionistët, veteranët dhe invalidët e luftës mund të përfitojnë ulje mujore prej 1.000 dinarësh për çdo faturë mujore nga tetori i këtij viti deri në mars të vitit të ardhshëm. Kategoritë e tjera kanë të drejtë në zbritje deri në 40%, në varësi të numrit të anëtarëve të familjes dhe të ardhurave mujore.

Për më tepër, të gjithë përdoruesit që i paguajnë rregullisht faturat deri më 28 të çdo muaji fitojnë edhe një zbritje shtesë prej 5%.

Si funksionon procedura e aplikimit?

Procedura e dokumentacionit dhe aplikimit ndryshon sipas kategorive:

  • Pensionistët me pension minimal nuk dorëzojnë kërkesë – statusi u jepet automatikisht përmes shkëmbimit të të dhënave mes institucioneve përkatëse.
  • Veteranët, invalidët e luftës, përfituesit e ndihmës sociale dhe familjet me gjendje materiale të kufizuar duhet të paraqiten në komunë, zakonisht në shërbimet e mbrojtjes sociale.

Ata duhet të paraqiten në komunën e vendbanimit të tyre, zakonisht në zyrat e shërbimeve sociale, të plotësojnë formularin dhe të sjellin:

  • letërnjoftimin,
  • veteranët dhe invalidët e luftës – faturën e energjisë në emrin e tyre,
  • kategoritë e tjera – faturën e energjisë dhe dëshminë e përfitimit të ndihmës sociale ose të gjendjes së tyre materiale.

Këshilla për konsum më racional të energjisë elektrike

Përveç masave shtetërore, edhe qytetarët vetë mund të ndikojnë ndjeshëm në uljen e faturave përmes përdorimit më racional të energjisë.

Ministria rekomandon:

  • përdorimin e pajisjeve të mëdha shtëpiake gjatë natës, kur çmimi i energjisë është katër herë më i ulët,
  • programimin e pajisjeve si lavatriçet, makinat e enëve dhe ngrohëset akumuluese për punë gjatë natës,
  • fikjen e dritave dhe çkyçjen e pajisjeve në dhomat që nuk përdoren,
  • kontrollimin e izolimit, veçanërisht të mbylljes së dritareve dhe dyerve,
  • vendosjen e termostatit të bojlerit në 60°C, frigoriferit në +4°C, dhe ngrirësit në -18°C.