Ashensori, Tërrnoci, Qiriminica, dhe… “sha pu frihësh be…”

0
436

Nga ashensori ku jam ngujuar shoh Tërrnocin.
Tërrnocin e akademik Nexhat Dacit, që thuhej se ishte ndêr katundet më të mëdha në ish Jugosllavi.
Tërrnocin e agës Lemi.
Tërrnocin e të ndjerit tashmë profesorit Hamdi Daci.
Tërrnocin e komandant Vajës, përkatësisht komandant Lleshit.
Tërrnocin e Elë mësuesit. Tërrnocin e Shaban Xheladinit e të Avni Çorovinës e mësues Ukshinit.
Tërrnocin e Sylejman Tolës…
Tërrnocin, për të cilin thuhej që jetonin njerëzit më të pasur. Ata që me shpoti thoshin:
“Une be agës e kom bunarin me llamperi”…
Tërrnocin legjendar…
E tek shetis kateve të kohës nga ky ashensor, shoh vendin ku ishte mulliri i Ismajlit të Ibës, pastaj mulliri i Bahrisë Isufit, atë të Hisendrizës. E më poshtë mullirin e Durakit, e pas tij atë të Dacit, e shikimin ndal te Prroni Çiftit aty te miniera. Ajo pamje më mashtron dhe shikimi disi më ndalet te rrafshi i Bllatës dhe arrin te Zidi i parë, Zidi i dytë, dhe shoh mullirin e Mulla Sulës e me pamje vi te ura e haxhi Qahilit. Apo më bëhet ashtu,.. se… unë nuk zbres dot nga ashensori.
Nga ashensori më bëhet se prek shtëpitë e Strukarëve por nuk e dëgjoj të thërret ezanin haxhi Ilka. Pastaj Gurin i Hutit, e aty nuk shoh dot Lazin e Destanit, atë horatarin. As Rexhepin e Ramizit. Besoj e mbani në mend. Edhe ai ishte horatar. Dhe shikimi më zbret te Çeshmja e Fejzë Çupit e te Loma e Sokakit.
Ehoooo…
S’e shoh as Velinë e Ali Sydës.
As Ametin matiçarin e Dinovitëve. As Mizin Magjarin atë horatarin. Jo, jo, s’janë as Sabiti i Malës as Meti i Safkës kasapi, as Sinani i Hajdarovite as Osmoni i Abdixhikëve,..
por, ama shoh Verrat e Dacëve,. Shoh Ogragjen. Shoh shtëpitë te Prroni i maxhupëve dhe sikur hipi në Qiriminicë dhe syri i shënjon varret e Strukarëve, Arat te Rupët, Stadiumin, Konoplishten, Resulët, Bunarin e Matit.
Shoh shtëpitë e Batallëve në të majtë. Pastaj të mulla Sulëve. Në të djathtë Qazimovitët. Te Strukarët nuk e shoh Haxhi Rizën e Abdixhikëve…
E unë zbres poshtë në katund por, nuk i shoh dot Fejzi Efendinë as Avdi Efendinë.
As Mulla Xunën e as Mulla Hysenin. As hafëz Nazminë e as Hafëz Avniun nuk i shoh dot.
As Mulla Rizahin e as Bajram Roshën.
Nuk i shoh dot as agën Aziz as agën Idriz as agën Feriz e as Muhamedin e Shefketit të agës Aziz të Osmonajve.
Rrugëve e sokakëve të Tërrnocit s’e shoh Llukman Goçin. As Rexhën fudballerin. As Skender Gashin.
Nuk e shoh Ramë Dacin a as mësuesin Ukshin. As Rexhep Hasanin. As Fehmi mësuesin e Leskajve e as Haki Leskën. Po as vëllezërit Mehmet, Rafet, Mefë, Qemal e Halit Leskën.
As agën Shiti e as gruan e tij, abën Mizë nuk i shoh.
Po Dema i Bazit ku është?.. S’qenka as Dema i Bazit.
Ehoooo!
As Isa Seçkin e Habimollarëve e as gruan e tij, Yrfeten e as të bijën Hidajeten.
Nuk e shoh as doktoreshën Sherife Hasani (Shefka).
Paskan ikur vitet e unë s’i paskam hetuar fare.
E ashensori më shetit kateve të kohës dhe poshtë shoh oborrin e shkollës bosh e atij sokaku varg vijnë xhemati i Mulla Dinkës tek përcjellin Skender Instruktorin e Terzijave për në banesën e fundit. E sikur dëgjoj një zë:
“Sha pu frihësh be agës”…
Dhe… joooo, prapë s’dëgjoj gjë e shikimi si shigjetë i pret mëhallët: Osmonajt, Habimollarët, Tolajt, Shteket, Leskajt, Gashët, Qosët, Isenidrizët, Strukarët, Abdixhikët, Terzijajt… e të tjerat mëhallë, e në sokakët e asfaltuar, fëmijët me celularë në dorë luajnë lojat e tyre…

Shkruan: Ferid Selimi