Arifi demanton lajmin se shqiptarët e kosovës po marrin vaksinën anti-COVID në Bujanoc

0
408

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi ka demantuar raportimet e mediave serbe se shqiptarë të Kosovës kanë ardhur në komunën e Bujanocit për tu vaksinuar kundër COVID-19.

Arifi ka thën se nuk është e vërtetë që shqiptarë të Kosovës kanë marrë vaksinë kundër COVID-19 dhe të gjithë ata që kanë shkuar në Bujanoc janë qytetarë serbë të Kosovës.

I pari i Bujanocit, Nagip Arifi i ka thën Gazetës Express se asnjë shqiptar nga Kosova nuk ka marrë vaksinë kundër COVID-19 në komunën e Bujanocit.

“Nga informatat që i kam nga koordinatorja për organizimin e vaksinimit të qytetarëve të komunës së Bujanocit kundër COVID-19, Dr. Afërdita Mustafa, e cila njëherit është edhe mjeke në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc dhe e emëruar si koordinatore nga Shtabi për situata të jashtëzakonshme të komunës sonë, asnjë shqiptar nga Republika e Kosovës nuk ka marrë vaksinë.

Por të gjithë kanë qenë serbë të pjesë së Anamoravës, e të cilët janë vaksinuar në Bujanoc në një hapsirë të Shtëpisë së Shëndetit me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Serbisë”, është shprehur Arifi.

Ai tha poashtu se vaksinimin e qytetarëve serbë të Kosovës në këtë komunë e ka kryer personeli shëndetësor i nacionalitetit serb nga Kosova.

“Personali mjekësor i cili ka qenë i angazhuar për organizimin dhe dhënien e vaksinës ka qenë personel i nacionalitetit serb nga Kosova. Kurse personeli mjekësor i shtëpisë së Shëndetit nga Bujanoci qoftë shqiptar apo serb nuk ka qenë i involvuar në këtë organizim.

Është e vërtetë nga ajo që kam parë nga mjetet e informimit se bartjen e qytetarëve serb nga Kosova e kanë kryer kompanitë shqiptare të Kosovës”, u shpreh Arifi.

Kurse nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli tha për Gazetën Express se nuk kanë të konfirmuar fluks të njerëzve që udhëtojnë nga Gjilani për në Bujanoc.

“Përmes stacionit të autobusëve kemi konfirmuar që nuk ka fluks të njerëzve që udhëtojnë për Bujanoc në linjën e rregullt që e kemi Gjilan-Bujanoc”, tha Ismajli.

Ai tutje shtoi se ka informacione jozyrtare që qytetarët e nacionalitetit serb që jetojnë në Komunën e Gjilanit dhe në atë të Kamenicës po shkojnë në Bujanoc për t’u vaksinuar.

Kryetari i Bujanocit Nagip Arifi tha se qytetarët e komunës së Bujancoit që duan të marrin vaksinën kundër COVID-19 mund të paraqiten online “Sa për informim, Shtabi për situata të jashtëzakonshme ka aprovuar vendimin me 16.01.2021(e shtune) që të gjithë qytetarët e komunës së Bujanocit të cilët kanë shpreh interesim të marrin vaksinën kundër COVID-19 mund të paraqitet online, ku iu konfirmohet dita e vaksinimit dhe lloji i vaksinës. Organizimi dhe dhënia e vaksinës për qytetarët e komunës së Bujanocit menaxhohet nga personeli mjekësor i Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc”.