Serbia po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila gjatë ditëve në vijim do të sjellë temperatura shumë të larta në të gjithë vendin. Instituti Republikan Hidrometeorologjik i Serbisë ka lëshuar disa paralajmërime, duke bërë të ditur se pritet mot i rrezikshëm me temperatura që në disa zona do të arrijnë nivele kritike.
Moti do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, ndërsa ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për shkak të rrezatimit të lartë UV dhe stresit termik, të cilët mund të kenë ndikim serioz në shëndet.
Të mërkurën, moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me erë të lehtë deri mesatare nga lindja. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale nga 31 deri në 35°C.
Sipas IHR-së, në pjesën më të madhe të Serbisë është në fuqi alarmi i verdhë për motin, ndërsa në Baçkë, Banat dhe Serbinë Lindore është shpallur alarmi portokalli për shkak të temperaturave ekstreme.
Nga e enjtja, vala e të nxehtit do të intensifikohet edhe më tej. Temperaturat minimale do të jenë nga 14 deri në 21°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 33 deri në 36°C.
Kulmi i vapës pritet të vijë në fund të javës, kur temperaturat do të shkojnë nga 35 deri në 38°C, ndërsa edhe netët do të jenë tropikale, me temperatura të larta që nuk do të bien ndjeshëm as gjatë orëve të natës.












