Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi me rastin e 14 vjetorit të ndarjes nga jeta të sportistit dhe veprimtarit Rexhep Adilit, ka kujtuar periudhën e bashkëpunimit me të dhe veprat e paharrueshme të Rexhës.
“Sot, po mbushen 14 vjet nga ndarja fizike nga kjo botë e Rexhep Adilit – Rexhës.
E ne, Rexhën nuk e kujtojmë veç në përvjetore, atë e kujtojmë sa herë që KF Tërnoci arrin suksese, e kujtojmë kur nxënësit e tij të shkollës së futbollit na bëjnë krenarë me paraqitjet e tyre në vend dhe në arenën ndërkombëtare.
E kujtojmë sa herë që shkojmë në Ulqin, Tetovë, Pejë e Durrës.
Rexha, përveç futbollist, trajner e themelues i shkollës së futbollit, ishte edhe atdhetar, ku përmes futbollit sensibilizoi edhe trevat tjera shqiptare për gjendjen në të cilën ndodheshin shqiptarët në kohët më të vështira.
Kisha nderin që të bashkëpunoja me të, sidomos me rastin e ndërtimit të stadiumit të KF Tërnocit, në të cilin shumë gjenerata po ndjekin rrugën e Rexhës.
Rexha do të jetë gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona!” ka shkruar kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi./LajmiAL/












