Hulumtimi PISA, i cili synon të shqyrtojë shkallën në të cilën të rinjtë janë në gjendje të kuptojnë dhe përdorin informacionin e dhënë në zgjidhjen e problemeve relevante nga jeta e përditshme, do të kryhet në Serbi nga sot deri më 18 prill të këtij viti.
LajmiAL ka kontaktuar sh.m “Sezai Surroi” në Bujanoc ku nga drejtori Zejni Fejzullahu ka mësuar se deri më sot ky institucion arsimorë nuk ka marrë informatë zyrtare se është në mesin e 178 shkollave të mesme profesionale dhe gjimnazeve, që do të marrin pjesë në PISA testin.
Megjithatë Fejzulau shprehet se nuk përjashtohet mundësia që të përzgjidhen në periudhën e ardhshme.
Testimi PISA 2022 do të kryhet në një numër prej 7.600 nxënësve pesëmbëdhjetëvjeçarë nga 193 shkolla, nga të cilat 178 janë shkolla të mesme profesionale dhe gjimnaze dhe 15 fillore dhe shkollat janë përzgjedhur me mënyrë të rastësishme, njofton Ministria e Arsimit.
Gjatë testimit, nxënësit do të punojnë në kompjuter në fushat e shkrim-lexim, shkencës, matematikës dhe të menduarit krijues.
Rezultatet e këtij hulumtimi do të jenë të disponueshme për publikun pas përpunimit, në fillim të dhjetorit 2023.
Hulumtimi PISA, i cili është hulumtimi më i madh ndërkombëtar në arsim, shqyrton gjendjen funksionale të nxënësve, gjegjësisht sa janë të gatshëm për sfidat që i presin në bazë të njohurive që marrin në shkollë.
Këta janë kryesisht nxënës të shkollave të mesme të vitit të parë dhe një numër i tyre që janë në klasë të tetë.
Kjo është mosha e rreth 7.600 nxënësve që do të bëjnë testet dhe do të plotësojnë pyetësorët dhe një grup i gjithë këtyre informacioneve do të japë një pasqyrë të vërtetë të njohurive të tyre./LajmiAL/












