“Rinia shqiptare nuk do të lihet vetëm” – Kryetari i KK të Bujanocit Driton Rexhepi paralajmëron front të përbashkët institucional, kërkon pezullimin e shërbimit ushtarak dhe nis betejën politike e diplomatike për mbrojtjen e të rinjve të Luginës
POSTIMI I REXHEPIT:
TË DASHUR QYTETARË, TË NDERUAR TË RINJ TË LUGINËS SË PRESHEVËS,
Rikthimi i paralajmëruar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak ka ngritur shqetësime plotësisht të bazuara te familjet tona dhe posaçërisht te rinia jonë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë e në diasporë.
Rrethanat tona specifike historike dhe politike kërkojnë maturi, veprim të koordinuar, por mbi të gjitha — aksion institucional dhe zgjidhje konkrete, jo vetëm fjalë.
Si përfaqësues të vullnetit tuaj, ne nuk do të lejojmë që kjo situatë të trajtohet me pasivitet apo improvizime.
Prandaj, që sot kam iniciuar koordinimin për një Seancë të Përbashkët të tri Kuvendeve Komunale (Bujanoc, Preshevë, Medvegjë) për të dalë me një qëndrim unik, të prerë dhe zyrtar.
Platforma jonë e përbashkët do duhej të mbështetet në këto kërkesa dhe propozime konkrete:
PROPOZIMET TONA KONKRETE:
1. Moratorium ose Shtyrje përmes Dialogut Politik: Kërkesa zyrtare nga përfaqësuesit politikë për një pezullim të këtij obligimi për Luginën e Preshevës, duke pasur parasysh rrethanat specifike post-konfliktuale (opsion i koordinuar me miqtë ndërkombëtarë), me garanci të plota të aprovuara në institucionet relevante!
2. Ndalimi i dërgimit në kazerma: Ky model i shërbimi civil lokal do të shmangte plotësisht trajnimin luftarak dhe qëndrimin në kazerma, duke eliminuar ndjenjën e pasigurisë dhe frikës tek të rinjtë shqiptarë.
3. Autorizimi i Grupit Negociator: Përmes kësaj seance të përbashkët, ne do të autorizojmë një Delegacion Zyrtar (të përbërë nga përfaqësues të tri Kuvendeve dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar) për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Ministrinë e Mbrojtjes për implementimin e këtyre specifikave rajonale.
4. Shërbimi Civil Lokal, pa armë: Kërkojmë që për të gjithë të rinjtë tanë që shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për kundërshtim të ndërgjegjes, shërbimi civil të kryhet ekskluzivisht në institucionet tona lokale (Shtëpitë e Shëndetit, Ndërmarrjet Publike, Shërbimet e Zjarrfikësve dhe Kryqi i Kuq) brenda komunave tona.
Liderët politikë dhe institucionalë të Luginës do të flasin me një zë të vetëm dhe të fuqishëm. Ky propozim-vendim do të jetë platforma jonë zyrtare karshi autoriteteve qendrore dhe faktorit ndërkombëtar. Obligimi ynë parësor është të mbrojmë rininë tonë, të garantojmë të drejtat e tyre dhe të sigurojmë që ata të kontribuojnë për vendbanimet e tyre.
Konsiderojë me interes vënien në dijeni Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Beograd Shkëlqesinë e Tij, z. Bardhyl Canaj lidhur me nismën institucionale duke kërkuar kontributin e drejtpërdrejtë në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e kësaj seance të përbashkët si dhe kontributin diplomatik e përmbajtësor lidhur me këtë sfidë.
Vazhdojmë me hapa të sigurt, të matur dhe të koordinuar mirë.
Rinia jonë duhet të qëndrojë këtu dhe e sigurt!












