Në skenën politike të Bujanocit, ku debatet shpesh janë të ashpra dhe përplasjet politike të pashmangshme, kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, po dëshmon se maturia, qetësia dhe dialogu mbeten armët më të forta të një drejtuesi institucional.
Që nga marrja e detyrës në krye të legjislativit komunal, Rexhepi ka treguar aftësi të konsiderueshme në drejtimin e seancave të Kuvendit, duke ruajtur balancën mes shumicës qeverisëse dhe një opozite mjaft aktive.
Në veçanti, ai është përballur me kritika të vazhdueshme nga këshilltarët opozitarë, sidomos nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, por edhe të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes për Progres Demokratik, të cilat pothuajse në çdo seancë paraqesin vërejtje, kundërshtime dhe debate të forta politike gjë që janë të pritshme nga një opozitë.
Megjithatë, pavarësisht presioneve dhe tensioneve që herë pas here karakterizojnë punën e Kuvendit, Rexhepi ka arritur t’i kanalizojë diskutimet në kuadër të rregullores dhe të ruajë funksionimin normal të institucionit. Edhe në rastet kur debatet janë tensionuar, ai ka dëshmuar aftësi për të qetësuar situatën dhe për ta rikthyer fokusin tek çështjet që kanë rëndësi për qytetarët.
Një nga karakteristikat që veçohet më së shumti tek ai është komunikimi i matur dhe korrekt. Jashtë sallës së Kuvendit, Rexhepi perceptohet si një politikan miqësor, i qasshëm dhe bashkëpunues, duke ndërtuar ura komunikimi edhe me ata që politikisht nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me të.
Deri më tani, në drejtimin e Kuvendit Komunal, nuk i atribuohet ndonjë gabim i madh politik apo institucional që do të vinte në pikëpyetje kredibilitetin e tij. Përkundrazi, ai është dalluar shpesh si faktor stabiliteti dhe moderimi në debatet e seancave komunale.
Pikërisht për këto cilësi, në qarqe të ndryshme politike dhe shoqërore po përmendet gjithnjë e më shpesh emri i Driton Rexhepit si një nga figurat që në të ardhmen mund të përfaqësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës në institucionet qendrore të Serbisë. Mbështetësit e tij vlerësojnë se ai posedon kapacitetin politik, përvojën institucionale dhe pjekurinë e nevojshme për një rol të tillë.
Në një kohë kur politika shpesh dominohet nga përplasjet dhe retorika e ashpër, Driton Rexhepi po ndërton profilin e një politikani që beson se dialogu, respekti institucional dhe maturia politike janë rruga më e mirë për të arritur rezultate në interes të qytetarëve./LajmiAL/












