Kontrolle të shtuara për produktet e ëmbëlsirave dhe akulloret para sezonit veror

0
37

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Serbisë ka intensifikuar kontrollet për sigurinë ushqimore gjatë muajve të verës, me fokus të veçantë te prodhimi dhe tregtimi i ëmbëlsirave dhe akulloreve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Gjatë qershorit 2026, në kuadër të planit të rregullt të inspektimeve para sezonit veror, Inspektorati Bujqësor zhvilloi 62 kontrolle te subjektet që prodhojnë ëmbëlsira dhe akullore. Inspektimet përfshinë verifikimin e regjistrimit në Regjistrin Qendror të objekteve, gjurmueshmërinë e produkteve dhe lëndëve të para, respektimin e kushteve higjienike, zbatimin e sistemit HACCP, si dhe dokumentacionin që dëshmon sigurinë e akulloreve.

Rezultatet tregojnë se këtë vit është shënuar një numër më i vogël parregullsish në fushën e gjurmueshmërisë, higjienës dhe deklarimit të produkteve krahasuar me vitet e mëparshme, çka dëshmon për një përputhshmëri më të madhe të prodhuesve me rregulloret.

Megjithatë, gjatë kontrolleve u konstatua se:

* 3 subjekte nuk ishin të regjistruara në Regjistrin Qendror të objekteve;

* 4 subjekte kishin parregullsi në deklarimin e produkteve;

* 14 subjekte nuk posedonin raporte nga laboratorë të akredituar për analizat e sigurisë së produkteve;

* 7 subjekte kishin mangësi në gjurmueshmërinë e produkteve;

* 4 subjekte nuk plotësonin kushtet higjienike;

* 15 subjekte kishin parregullsi në zbatimin e sistemit HACCP.

Për këto shkelje, inspektorët nxorën 31 vendime për eliminimin e mangësive, dorëzuan 5 kërkesa për fillimin e procedurave kundërvajtëse, vendosën 3 ndalesa të prodhimit, si dhe ndaluan qarkullimin e 30 kilogramëve akullore.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Dragan Glamočić, deklaroi se siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të ministrisë.

Ai theksoi se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha dhe se kontrollet nuk synojnë vetëm ndëshkimin e parregullsive, por edhe parandalimin dhe ngritjen e standardeve të sigurisë ushqimore. Sipas tij, kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë edhe gjatë korrikut dhe gushtit.

Apel për qytetarët

Ministria u bën thirrje qytetarëve që gjatë temperaturave të larta:

* të blejnë ushqime vetëm në objekte të regjistruara;

* të kontrollojnë deklaratën, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes;

* produktet e ftohta dhe të ngrira t’i vendosin sa më shpejt në frigorifer ose ngrirës.

Temperaturat e larta përshpejtojnë shumimin e mikroorganizmave që mund të prishin ushqimin dhe të rrisin rrezikun e sëmundjeve që transmetohen përmes tij. Më të rrezikuara janë produktet që prishen lehtë, si mishi i freskët, produktet e mishit, qumështi dhe nënproduktet e tij, peshku, vezët, ushqimet e gatshme dhe produktet e ftohta ose të ngrira.

Konsumatorëve u rekomandohet të blejnë sasi më të vogla ushqimesh që prishen shpejt, të kontrollojnë integritetin e ambalazhit dhe të shmangin produktet me paketim të dëmtuar ose të hapur.

Produktet e ftohta dhe të ngrira duhet të merren në fund të blerjeve, të transportohen sa më shpejt, mundësisht në çanta termike, dhe menjëherë pas mbërritjes në shtëpi të vendosen në frigorifer ose ngrirës. Ushqimi nuk duhet të qëndrojë në temperaturë dhome më shumë se dy orë.

Po ashtu, rekomandohet që ushqimet e papërpunuara dhe ato të gatuara të ruhen dhe përgatiten veçmas për të shmangur kontaminimin e kryqëzuar, duke respektuar higjienën e duarve, sipërfaqeve të punës dhe mjeteve të kuzhinës.

Kujdes i veçantë kërkohet gjatë përgatitjes së ushqimit për fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar, pasi ata janë më të rrezikuarit nga sëmundjet që transmetohen përmes ushqimit.

Ministria njoftoi se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë aktivitetet parandaluese dhe kontrollet e shtuara inspektuese, me synim ruajtjen e një niveli të lartë të sigurisë ushqimore në tregun e Serbisë dhe mbrojtjen maksimale të shëndetit të konsumatorëve, thuhet në njoftimin e MBOPMU-së./LajmiAL/