AMINA NURAJ SHPËRTHEN NDAJ POLITIKANËVE TË KOSOVËS: “SANXHAKU I HARRUAR, ZHGËNJIM TOTAL

0
174

Një reagim i fortë dhe emocional ka ardhur nga Amina Nuraj, shqiptarja nga Sanxhaku, e cila ka kritikuar ashpër politikanët shqiptarë të Republikës së Kosovës, duke i akuzuar për neglizhencë dhe përjashtim të plotë ndaj shqiptarëve të Sanxhakut.

Në një deklaratë publike, Nuraj shpreh zhgënjimin e saj të thellë, duke theksuar se prej muajsh ajo dhe bashkëkombësit e saj ndihen të lënë në harresë, pa asnjë përkrahje institucionale. Sipas saj, vëmendja e politikanëve kosovarë është përqendruar vetëm te shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa Sanxhaku është lënë jashtë çdo agjende.

“Me trishtim të madh e kam pranuar faktin se unë dhe shqiptarët e Sanxhakut jemi lënë në dorë të fatit dhe vullnetit të Zotit,” shprehet ajo, duke shtuar se përjashtimi i saj nga një ceremoni e fundit është dëshmi e qartë e kësaj qasjeje.

Nuraj thekson se ky trajtim nuk e habit më, pasi, sipas saj, shqiptarët historikisht kanë ditur të poshtërojnë patriotët e tyre dhe t’i lënë ata të vetëm. Megjithatë, ajo nënvizon se dashuria e saj për Kosovën mbetet e pandryshuar, edhe pse vullneti për të vazhduar angazhimin publik ka shteruar.

“Këtu mbarojnë të gjitha luftimet e mia. Nuk kam më forcë të luftoj kundër falsifikuesve të kombit tonë që kanë vetëm fjalë, por jo vepra,” deklaron ajo, duke e cilësuar zhgënjimin e saj si pasojë të mashtrimeve të vazhdueshme ndër vite.

Ky reagim ka hapur sërish debatin mbi përfaqësimin dhe kujdesin institucional ndaj shqiptarëve jashtë Kosovës, veçanërisht atyre në Sanxhak, të cilët shpesh ndihen të anashkaluar nga politika mbarëkombëtare.