Zhigmanov: Uron ditën e themelimit të KKSH-së, “Shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat”

0
317

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialog Social, Tomislav Zhigmanov ka uruar pjesëtarët e bashkësisë kombëtare shqiptare 3 korrikun, Ditën e themelimit të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, shkruan Danas.

“Selia e tij është në Bujanoc, dhe mjetet për financimin e punës së Këshillit Kombëtar sigurohen nga buxheti i Republikës së Serbisë, njësitë e vetëqeverisjes lokale, donacionet dhe të hyrat tjera”, ka thënë Zhigmanov, raportojnë nga ministria që ai drejton.

Siç thuhet, përveç ndarjes së mjeteve për punën e këshillave kombëtare të pakicave kombëtare, autoritetet shtetërore të niveleve të ndryshme të qeverisjes në Serbi ndajnë mjete financiare për punën e institucioneve të rëndësishme për pakicën kombëtare shqiptare, si dhe për projekte që afirmojnë kulturën dhe edukimin e pakicës kombëtare shqiptare dhe informimin në gjuhën shqipe.

Gjuha dhe alfabeti shqip janë në përdorim zyrtar në të tri njësitë e vetëqeverisjes lokale në jug të Serbisë ku jetojnë pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare – Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë.

Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare arsimohen në gjuhën e tyre në nivelin e arsimit parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë.

Informacioni në gjuhën shqipe ofrohet përmes mediave të shkruara dhe elektronike, si dhe përmes një numri të madh të ueb-portaleve.

Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare i ushtrojnë të drejtat e tyre në fushën e kulturës përmes pjesëmarrjes në ngjarje kulturore, si dhe përmes aktiviteteve të institucioneve dhe shoqatave kulturore, tha Zhigmanov.