Elektroekonomia e Sërbisë (EES) ka njoftuar sot se faturat e energjisë elektrike të nëntorit do t’u dërgohen shfrytëzuesve në adresat e tyre shtëpiake dhe afati i pagesës është shtyrë nga 28 deri më 30 dhjetor.
Dorëzimi i faturave u vonua sepse EES ishte objektivi i një sulmi kobernetik. Deri më tani në Postën e Serbisë janë dorëzuar 1,74 milionë fatura të nëntorit, të cilat tashmë po arrijnë në adresat shtëpiake.
“Për shkak të masave mbrojtëse të marra për sigurinë e sistemit dhe sigurinë e të dhënave, sistemet po kthehen gradualisht në funksionim”, thuhet në njoftimin e EES-së, duke shtuar se për këto arsye sportelet e EES-së dhe portali “qasje në llogari” tani janë jashtë funksionit.
EES u bëri thirrje shfrytëzuesve të jenë të durueshëm dhe theksoi se ekspertët e IT të asaj kompanie po bëjnë përpjekje ditë e natë për të mundësuar dërgimin e faturave të mbetura në mënyrë të sigurt.












