Taipi tregon dallimin e “frikshëm” me zviceranët: Superiorja më ka befasuar, Kukësi po vjen

0
440

Agim Ibraimi nuk ishte afrimi i vetëm “big” i Kukësit në merkaton e verës, pasi u pasua edhe nga marrëveshja me 27-vjeçarin nga Bujanovci, Gjelbrim Taipi, një dëshirë e vjetër e Kukësit dhe drejtorit Nderim Nexhipi.

Mesfushori Taipi erdhi te Kukësi pas eksperiencave në Zvicër, teksa në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe Kombëtares së Kosovës. Në një rrëfim për “Panorama Sport” Gjelbrim Taipi tregon aventurën te Kukësi, përshtypjet për Superioren e ku ndryshon nga futbolli zviceran dhe objektivat e tij.

Ai vlerëson Partizanin, Teutën e Laçin për mënyrën si luajnë, ndërsa takimin me Bylisin e quan të vështirë, por Kukësi luan për tri pikë.

Si po ju duket kampionati shqiptar dhe cili është krahasimi me ligën zvicerane, ku keni luajtur në vitet e fundit?

Kampionati shqiptar më ka befasuar për mirë deri në këto momente. Është kampionat i fortë, ka futbollistë kualitativë dhe me eksperiencë. Krahasimi mes kampionatit shqiptar edhe atij zviceran?

Me sa shikoj unë, nuk është një dallim shumë i madh, duke hequr Bazelin dhe Jang Bojs, të cilat janë ekipe që futen çdo herë në grupe në Champions.

Në Zvicër luhet futboll fizik, edhe këtu e njëjta gjë, por ajo që dallon nga këtu është se në Zvicër çdo ekip i Superligës ka 5 deri në 8 fusha për stërvitje, janë më mirë të organizuar, po mendoj se në të ardhmen shpresoj se kjo infrastrukturë do të ndërtohet dhe në Shqipëri.

Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje në këto 6 javë kampionat?

Të them të drejtën më kanë bërë përshtypje shumë gjëra të mira. Kemi luajtur me skuadra si Tirana, Partizani, Laçi, Teuta e Vllaznia e të gjitha kanë treguar futboll të mirë. Ekipet shqiptare kanë futbollistë të mirë që ia vlen të respektohen.

Si e shikoni garën dhe sa shanse ka Kukësi të dalë në krye?

Gara është shumë e fortë, ka rivalitet të madh. Është akoma herët të flitet se kush do të dalë kampion apo kush do jetë në krye. T’ia lëmë kohës, ajo do ta tregojë më mirë.

Kur mendoni se do të vijë Kukësi i vërtetë?

Tani të gjithë ata që merren me futboll besoj e kuptojnë se sa e vështirë është të largohen 14 futbollistë e të vijnë 16. Patjetër që duhet kohë, edhe pse koha s’pret. Kemi grupin shumë të mirë, të gjithë kanë respekt për njeri-tjetrin. Kemi filluar dalëngadalë të kuptohemi me njëri-tjetrin në fushë dhe jashtë saj, por akoma nuk jemi aty ku duam ne dhe trajneri. Dita-ditës jemi duke u rritur në çdo aspekt.

Cila nga skuadrat e tjera të Superiores ju ka befasuar për mirë?

E thashë edhe më lart se ka ekipe që dinë të luajnë futboll. Partizani, Teuta dhe Laçi luajnë shumë futboll të mirë.

Çfarë doni të arrini si lojtar përmes aktivizimit te verilindorët dhe cili ishte personi që insistoi më tepër të luanit me Kukësin?

Nuk jam futbollist që i vendos kushte vetes apo të them gjëra joreale. Për mua është me rëndësi të kemi sukses si grup. Unë do ta ndihmoj ekipin deri në frymën e fundit e për mua kjo ka rëndësi, të arrijmë sukses si skuadër, pastaj gjërat e tjera vijnë vetë. Sa i përket ardhjes sime te Kukësi pa dyshim ka insistuar më tepër drejtori sportiv Nderim Nexhipi. Me projektin që më prezantoi për Kukësin më bindi që t’i bashkohem këtij klubi. Pastaj, kur mbërrita te ky klub, gjeta shokë e kolegë mjaft të mirë dhe një staf të shkëlqyer. Kam besim se bashkë mund të arrijmë objektiva madhorë.

Pas tri fitoreve radhazi çfarë prisni nga ndeshja ndaj Bylisit?

Normale që na pret një ndeshje e vështirë ndaj Bylisit. Si futbollist, me këtë karakter që kam, por edhe i gjithë ekipi në çdo takim futemi për fitore. Kjo gjë nuk ndryshon as edhe ndaj Bylisit, ku shkojmë për të fituar. Në 4 ndeshjet e fundit kemi grumbulluar 10 pikë, jemi në momente të mira, uroj që të vazhdojmë me këtë ritëm edhe nesër./panorama sport/