Shtetësi e Kosovës dhe Shqipërisë për Luginasit. Të ulim kokat e liderëve nën flamurin kombëtar

0
453

Shkruan Muharrem Salihu

A ekziston një mundësi e vetme, që shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, gjegjësisht dy shtetet  tona të ndalin genocidin e heshtur ndaj bashkëkombasve të tyre në Luginë, e që në Medvegjë, ka arritur kulmin? Unë besoj se po, sepse unë besoj tek forca e shqiptarëve të bashkuar. Unë besoj se nëse shqiptarët bashkohen, askush nuk mundet t’i bëjë ballë në rajon. A nuk është ky një mesazh që na vjen nga koha e Skënderbeut?

Mirpo që shqiptarët të bashkohen, do duhet të kuptojnë se ku kanë gabuar. Vetëm atëherë mund ta gjejnë atë zgjidhjen e duhur, që ta ndalë atë që unë e quaj genocid ndaj bashkëvendasve të mi.

Ja pse ndaj nesh po bëhet genocid.

Sipas krijuesit të kësaj fjale, Rafael Lemkin, genocidi është “ një plan i koordinuar veprimesh që synojnë shkatërrimin e themeleve qenësore të jetës së grupeve kombëtare, me qëllimin që t’ i asgjësojë si të tillë. Më konkretisht objektivat e genocidit janë dizintegrimi social dhe shkatërrimi biologjik, nëpërmjet… teknikave politike, sociale, kulturore, ekonomike, biologjike,fizike, fetare dhe morale që godasin pasurinë identitare të një grupi minoritar.” Unë sfidoj këdo, që të mos identifikojë në këtë përkufizim atë që serbët na kanë bërë ne që në vitet 1870. Teknikat ndryshojnë, por qëllimi mbetet i njëjtë që nga Cubrilloviqi e këtej: Asgjësimi ynë nga territori që na kanë lënë të parët. Kur të pasivizohet adresa, kur nuk ke mundësi të kthehesh sa herë të duash dhe nga të duash, kur nuk pajisesh me kartë identiteti, kur nuk voton dot, kur të dekurajojnë të vizitosh tokën tënde, të mbrosh të drejtat e tua civile, kjo është teknikë genocidale. Kur Medvegja që është gjysma e Luginës të zbrazet dhe nga ata pak rezidentë të etnisë shqiptare, atëherë qëllimi  i përhershëm genodidal serb është arritur.

Gabimet tona

Mirpo mos prisni të vajtoj duke sulmuar të tjerët si bëjmë ne shpesh në histori. Fajin e kemi vetë ne. A nuk janë shqiptarët e Luginës, që po mpaket, të ndarë, të përçarë, në disa taborre që sa vinë e shtohen? A nuk vjen kjo pse “ të ashtuquajturit liderë të tyre”- në fakt “prijës mëhallash të vogla” luftojnë ata njeri tjetrin me egërsi më të madhe sesa luftojnë serbët në mbrojtje të popullit tonë? Pse ata i duartrokasin, heshtin, apo mbështesin politikat serbe, të spastrimit të Medvegjës në fillim, ku gjenden burime të rëndësishme minerare dhe ujore? Pse besojnë naivisht se radha nuk do t’u vijë atyre, apo që pas pastrimit të Medvegjës është radha e Bujanovcit dhe Preshevës?

Më lejoni të flas pak për Kosovën deri më tani. Prej çlirimit të Kosovës, mijëra luginas janë vendosur në territorin e saj. Pa status, pa dokumenta deri para pak muajsh. Kosova nuk bëri atë që bëri Serbia me të shpërngulurit serbë nga territori i saj, të na trajtonte si refugjatë, të kërkonte mbështetjen e Bashkimit Europian, dhe të aplikonte parimin e reciprocitetit ndaj tyre. Në dialog nuk është imponuar dot asgjë.

Shqipëria nga ana e vet nuk ka mundur të ndalë këtë që po ndodh, ndonëse marrëdhëniet midis shtetit amë dhe Serbisë janë normalizuar. Jam kundër atyre që thonë se këto marrëdhënie duhet të prishen, sepse kur nuk komunikon me fqinjin, atëherë nuk zgjidh asgjë. Mirpo në terma realë, as diplomat nuk janë njohur dhe pasivizimi i adresave, diskriminimi etnikn në përgjithësi nuk është denoncuar si duhet, veçanërisht ndërsa Shqipëria udhëhiqte OSBE-në.

Zgjedhjet në Kosovë. Pse duhet dhënë shtetësia e Kosovës ose e Shqipërisë, menjëherë pas zgjedhjeve

Kosova ka zgjedhur të maturohet si shtet edhe nëpërmjet zgjedhjeve, andaj në 12 vjet janë bërë 6 palë syresh. Mirpo le të përfitojmë nga energjia që prodhojnë ato, për të korrigjuar gabimet e rënda të së shkuarës.

Krejt forcat politike duhet të bien dakord rreth një sërë hapash imediate që duhen ndjekur për të ndalur shpopullimin e Luginës. BASHKIMI BËN FUQINË. Duhet shikuar mundësia e dhënies së shtetësisë kosovare, bashkë me karta identiteti, por me adresat e Luginasve dhe shqiptarëve të Serbisë, atje në Republikën fqinje.  Kjo bëhet njëjtë si Serbia: për arsye humanitare. Duhet përdorur në dialog parimi i reciprocitetit mu për shqiptarët e Luginës vis a vis serbëve të Kosovës, në territorin e saj apo të zhvendosur në Serbi.

Këtë veprim mund ta bëjë edhe Shqipëria.  Kjo don të thotë se dy shtetet shqiptare veprojnë njëlloj dhe nuk mund të atakohen veç e veç nga Bashkimi Europian apo Serbia. Është dritëshkurtër arsyetimi sipas të cilit kjo do të nxisë largime të vullnetshme nga Lugina. Dhënia e shtetësive njëkohësisht ose nga Kosova, ose nga Shqipëria, (sipas preferencës), është akordim i mbrojtjes ndërkombëtare të shqiptarëve të Serbisë; është ruajtje e identitetit të tyre; është konsolidim i lidhjeve me tokën e tyre, është akt fuqie i kombit shqiptar të bashkuar.

Është shpresëdhënëse se kandidatët e Luginës në këto zgjedhje e kanë përqafuar këtë qasje. Kam patur biseda me krejt udhëheqësit e partive të Kosovës, të cilët më kanë garantuar për mbështetjen e kërkesave tona. Vetëvendosja ka më shumë kandidatë  të Luginës se tjerat në këto zgjedhje.

Mirpo Shqipëria dhe Kosova duhet të bëjnë dhe diçka tjetër me çdo kusht. Të jetësojnë të ashtuquajturin Këshill Politik, që të mundësojë bashkimin në një Plan veprimi të krejt atyre që quhen “liderë shqiptarë”. Parti, dmth pjesë, copëza, pra le ta lënë krenarinë e tyre të pjesshme dhe të ulin kokën nën flamurin kombëtar. Le t’i mbyllin në një dhomë, e të mos dalin pa pranuar vënien e drynit tek partiçkat e tyre. Për ta kuptuar se kjo është gabuar mjafton të shohim në histori sesa janë investuar armiqtë tanë në përçarjen tonë. Dikur në taborre, fise, liderë, dhe sot në parti.