Gjelbrimi luan për Kukësin, ndërsa Shqiprimi prej 2 vitesh është pjesë e Skënderbeut. Vëllezërit me origjinë nga Bujanoci (vendbanim etnik shqiptar në Serbi) do ta mbajnë mend gjatë të shtunën e 30 janarit 2021.
Për herë të parë në karrierën e tyre, vëllezërit që luajnë në mesfushë u përballën si kundërshtarë në ndeshjen Skënderbeu-Kukësi 0-4. Gjelbrimi është më i madhi (28 vjeç), ndërsa Shqiprimi 23 vjeç.
I pari, përpara se të firmoste me Kukësin, krahas skuadrës së vendlindjes, KF Tërnoci në Serbi, si dhe më pas Shkëndijës së Tetovës në Maqedoni, vjen nga një e kaluar në Zvicër me skuadra si FC Vill, Shafhausen, St. Gallen, Grasshopers dhe Vinterthur. Ndërsa Shqiprimi më shumë ka luajtur në Maqedoni me Shkëndijën e Tetovës, Horizont Turnovo dhe Shkupin.
Pas një eksperience të shkurtër te Prishtina, ai iu bashkua Skënderbeut në vitin 2019. Sot ekskluzivisht për “Panorama Sport” vëllezërit tregojnë për përballjen për herë të parë si kundërshtarë në fushë, emocionet dhe objektivat me skuadrat e tyre. Mesfushori i Kukësit iu përgjigj i pari pyetjeve të gazetës.
Gjelbrim, si është të luash kundër vëllait?
Të them të vërtetën, asnjëherë nuk e kisha menduar se do të vinte kjo ditë, që të luaj kundër Shqiprimit. Ishte një kënaqësi më vete, një emocion dhe ndjesi e veçantë kur shikon vëllain si kundërshtar.
Çfarë kishit biseduar para ndeshjes për këtë përballje, e keni ngacmuar ju më tepër Shqiprimin apo e kundërta?
Po normal, unë e kam ngacmuar më tepër. Shqiprimin e kemi të gjithë si pikë të dobët dhe duke qenë se është i vogli i shtëpisë, e duam shumë. Flasim gjatë gjithë kohës, edhe pse jemi në ekipe të ndryshme.
Ka pasur ngacmime më tepër për të bërë dhe atmosferë. Unë i thosha se do të fitojë Kukësi, por ai mendonte se do të ndodhte e kundërta.
Kukësi fitoi 4-0, çfarë ju tha Shqiprimi pas ndeshjes?
Pas ndeshjes menjëherë u takuam dhe i thashë që Kukësi ishte superior në atë ndeshje. Por, më tha me shaka: “Mos u gëzo, sepse do përballemi edhe dy herë të tjera…”.

Gjatë lojës patët ndonjë moment kur ju duk si habi që e kishit vëllain kundërshtar dhe duhet t’i ndërhynit fort?
Po, kishte momente, sepse si për ironi të fatit, gjatë gjithë lojës ishim në markim të njëri-tjetrit. I flisja vazhdimisht që të hapej, ta merrte topin dhe të luante pak më shpejt, të mos harxhonte shumë energji duke më markuar mua.
Në të kaluarën keni qenë ndonjëherë kundër njëri-tjetrit në fushë?
Jo, çuditërisht kjo ishte hera e parë që luajtëm kundër njëri-tjetrit.
Çfarë biseduat me babain apo familjarët e tjerë në ditët pas ndeshjes?
Meqë Shqiprimi është më i vogli, e gjithë familja ishte në anën e tij. Normalisht, pas ndeshjes ishin të zhgënjyer të them të drejtën që kishte humbur Skënderbeu, por për mua ishte hera e parë që fitova ndaj kësaj skuadre. Normalisht jam i Kukësit, por duke pasur vëllain përballë, nuk isha aq i gëzuar. Mund të them se e dua shumë si skuadër edhe Skënderbeun, pasi e kam ndjekur rregullisht prej dy vitesh, që kur Shqiprimi vendosi të transferohej në Korçë.
Cili është më i fortë fizikisht, ju apo Shqiprimi?
Pa dyshim që Shqiprimi e ka armën më të fortë anën fizike.
Vëllai juaj ka qenë në bisedime me Kukësin, ju vjen keq që nuk u arrit kjo marrëveshje?
Po, është e vërtetë që ka pasur bisedime dhe kjo është normale në kohë merkatoje. Mirëpo, në fund nuk u arrit akordi për disa gjëra të vogla. Do të kisha dëshirë të ishte edhe Shqiprimi pjesë e ekipit tonë, sepse kemi lojtarë me eksperiencë, si Agim Ibraimi, dhe vetëm do kishte mësuar më tepër, duke u rritur si futbollist. Gjithsesi, mbeti te Skënderbeu dhe unë si vëlla i kam sugjeruar të japë maksimumin dhe të sigurojnë mbijetesën në Superiore.
Besoni se një ditë do të jeni në të njëjtën skuadër?
Po, besoj shumë dhe shpresoj se në të ardhmen do të jemi bashkë.
Tashmë keni një trajner si Mirel Josa te Kukësi. Çfarë përshtypjeje ju ka bërë dhe deri ku mund të shkojë kjo skuadër këtë sezon?
Nuk kam punuar më parë me Josën, por vetëm kam dëgjuar fjalë të mira nga Shqiprimi, i cili ka bashkëpunuar me trajnerin kur ka qenë te Prishtina. Për këtë periudhë të shkurtër këtu te Kukësi, mund të them se punon aq mirë taktikisht, sa të bën që të mësosh akoma më shumë. Synimi ynë është të ngjitemi sa më shumë në tabelë. Jam i bindur se do të marrim tri pikë edhe në ndeshjen e radhës ndaj Kastriotit./panoramasport/












