Kur rinovohet patentëshoferi, të gjitha kategoritë zakonisht kalojnë automatikisht në dokumentin e ri. Megjithatë, ekziston një përjashtim i rëndësishëm: nëse shoferi humbet aftësinë shëndetësore për të drejtuar automjete të kategorive profesionale (C dhe D).
Shumë drejtues mjetesh në Serbi, të cilët kanë të regjistruara disa kategori – nga motoçikletat dhe veturat deri te kamionët dhe autobusët – pyesin se çfarë ndodh me të drejtën e tyre për të vozitur nëse, për arsye shëndetësore, nuk i plotësojnë më kushtet për kategoritë profesionale.
A do të thotë humbja e kategorisë C edhe humbje e patentës për veturë?
Sipas sqarimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB), gjatë rinovimit të rregullt të patentëshoferit të gjitha kategoritë e regjistruara kalojnë automatikisht në patentën e re.
Por, nëse ndërkohë përkeqësohet gjendja shëndetësore e shoferit, aktivizohet procedura ligjore e verifikimit të aftësisë për drejtim.
Mjekët kanë vetëm 15 ditë për ta njoftuar Policinë
Edhe pse patentat lëshohen nga MUP-i, fjalën e fundit për aftësinë e drejtimit e kanë mjekët.
Sipas Ligjit për Sigurinë në Komunikacion dhe Rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë, çdo institucion shëndetësor që konstaton se një person nuk është më psikofizikisht i aftë për të drejtuar automjete të një kategorie të caktuar është i detyruar ta njoftojë Policinë menjëherë, por jo më vonë se 15 ditë nga dita e kontrollit mjekësor.
Pas marrjes së këtij njoftimi, MPB-ja merr vendim administrativ dhe i heq patentëshoferin personit në fjalë.
Cilat sëmundje mund të çojnë në humbjen e kategorive profesionale?
Kushtet për kategorinë B janë më të lehta, ndërsa për kategoritë profesionale (C, D dhe E) kriteret janë shumë më të rrepta.
Ndër arsyet më të shpeshta që mund të çojnë në humbjen e kategorive profesionale janë:
- Problemet me shikimin: ulje e ndjeshme e mprehtësisë së shikimit, ngushtim i fushës së shikimit, verbëri e natës ose mungesë e perceptimit të thellësisë.
- Sëmundjet e zemrës: tension i pakontrolluar i gjakut, stimulues kardiak (pacemaker), defibrilator, çrregullime të rënda të ritmit të zemrës ose gjendje pas infarktit me rrezik humbjeje të vetëdijes.
- Diabeti: diabeti që trajtohet me insulinë ose barna që mund të shkaktojnë hipoglicemi të rëndë gjatë drejtimit të mjetit.
- Sëmundjet neurologjike dhe çrregullimet e gjumit: epilepsia, marramendja kronike dhe apnea e gjumit, e cila shkakton përgjumje të tepërt gjatë ditës.
- Çrregullimet psikike dhe varësitë: forma të rënda të depresionit, ankthit ose psikozës, përdorimi i barnave që ndikojnë në aftësitë psikomotorike, si edhe alkoolizmi kronik ose abuzimi me substanca narkotike.
Çfarë ndodh nëse humbni kategorinë C, por mbeteni të aftë për kategorinë B?
Lajmi i mirë është se humbja e kategorive profesionale nuk do të thotë automatikisht humbje e të drejtës për të drejtuar veturën.
Nëse gjatë kontrollit mjekësor konstatohet se shoferi nuk është më i aftë për të drejtuar kamion ose autobus, por vazhdon të jetë plotësisht i aftë për kategorinë B, MUP-i do t’ia heqë patentën ekzistuese dhe, me kërkesën e tij, do t’i lëshojë një patentë të re vetëm me kategoritë për të cilat mjeku ka konfirmuar se është i aftë.
Kategoritë nuk humben përgjithmonë
Kategoritë profesionale nuk fshihen përfundimisht nga evidenca.
Nëse më vonë shoferi përmirëson gjendjen shëndetësore ose paraqet një raport të ri mjekësor që dëshmon se i plotëson sërish kushtet, ai mund të kërkojë rikthimin e kategorive të humbura në patentë, pa pasur nevojë ta japë sërish provimin e vozitjes në autoshkollë.












