Reporterët pa Kufij: Serbia shënon rënien më të madhe në indeksin e lirisë së medias në BE dhe në rajonin e Ballkanit

0
252

Në raportin e këtij viti të Reporterëve pa Kufij, Serbia renditet e 91-ta, në vend të 79-të vitin e kaluar, sipas indeksit të lirisë së medias, raporton N1.

Në raportin e publikuar sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit për Serbinë, thuhet se korniza ligjore është solide, por gazetarët janë të ekspozuar ndaj presionit politik.

Në raport thuhet se mediat pro-qeveritare në Serbi po përhapin propagandë ruse, si dhe se Serbia ka shënuar rënien më të madhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe rajonin e Ballkanit, me 12 pikë.

Në raportin për Serbinë thuhet se gazetaria cilësore dhe fituese e çmimeve që heton krimin dhe korrupsionin kërcënohet nga lajmet e rreme dhe propaganda. Ndërsa kuadri ligjor është solid, gazetarët kërcënohen nga presioni politik dhe krimet e kryera ndaj tyre mbeten të pandëshkuara.

Me më shumë se 2500 media të regjistruara në vend, tregu mediatik thuhet se është shumë i fragmentuar. Gjithashtu theksohet se ndër mediat më me ndikim janë transmetuesi publik RTS dhe rrjeti i pavarur televiziv N1, si dhe disa tabloide.

“Gazetaria investigative e vlerësuar nga gazetarët ka një audiencë të kufizuar sepse mund të shihet vetëm në internet dhe në disa media të pavarura. Megjithëse u ndalua nga BE-ja si pjesë e sanksioneve të vendosura në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, kanali televiziv propagandistik rus RT (ish Russia Today) njoftoi në nëntor 2022 se po hapte një degë në gjuhën serbe të quajtur RT Balkan.” thekson raporti.

Konteksti politik

Në një klimë shumë të polarizuar politike, siç vlerësohet nga Reporterët pa Kufij, gazetarët ekspozohen rregullisht ndaj sulmeve politike të nxitura nga anëtarë të elitës qeverisëse, të cilat përforcohen nga disa stacione televizive kombëtare. As politikanët dhe as institucionet, përfshirë Autoritetin Rregullativ të Mediave Elektronike (REM), i cili përbëhet kryesisht nga individë të emëruar nga qeveria, nuk kanë qenë të gatshëm për të korrigjuar situatën. Përveç kësaj, gazetarët që janë kritikë ndaj partisë në pushtet kanë qasje të kufizuar në intervistat me zyrtarë qeveritarë dhe informacione publike.