Qendra për Punë Sociale në Bujanoc fton të gjitha familjet e interesuara të aplikojnë në programin e kujdestarisë si formë e mbrojtjes dhe mbështetjes për fëmijët pa kujdes prindëror.
Nëse këto familje i plotësojnë kushtet, kompensimi për përkujdesjen e një fëmijë është 55,000 dinarë në muaj.
Sipas drejtorit të qendrës, Niazi Ametit, qëllimi i programit është që fëmijët pa kujdes prindëror nga territori i komunës së Bujanocit të gjejnë strehim në familje strehuese nga komuna e Bujanocit.

“Shuma për akomodimin familjar paguhet nga buxheti i Republikës së Serbisë në shumën mujore prej 55,000 dinarë neto për fëmijë.
Me këtë rast ftojmë qytetarët e interesuar të kontaktojnë Qendrën për Punë Sociale, për marrë informacione më të hollësishme në lidhje me kushtet e regjistrimit sepse në komunën e Bujanocit ekziston një numër i vogël i familjeve strehuese”u shpreh Ameti.
Kujdestarinë mund ta kryejnë familjet që plotësojnë kushtet procedurale dhe të cilat marrin vërtetimin nga ekipi i ekspertëve të Qendrës për Punë Sociale.
Përveç shumës mujore të kompensimit, familja strehuese merr gjithashtu mjete të veçanta (të dedikuara) për pajisjet, blerjen e librave shkollorë, gjegjësisht “plotësimin e nevojave themelore të fëmijës që ka nën kujdestari”.
“Pse duhet t’i dërgojmë fëmijët në qytete dhe komuna të tjera kur ata mund të qëndrojnë me ne. Për këtë arsyeje ne ftojmë familjet e interesuara për kujdestari që të na kontaktojnë” thotë Ameti.
Familjet nga Komuna e Bujanocit të cilët dëshirojnë të hyjnë në programin e strehimit mund të informohen më shumë dhe për gjithçka në detaje në Qendrën për Punë Sociale në zyrën e pranimeve.












