Për kë bien këmbanat në Bujanoc!?

0
270

Shkruan, Driton Rexhepi Kryetarë i Kuvendit Komunal të Bujanocit

Grafitet e shfaqura ditëve të fundit në Bujanoc, me mbishkrime që glorifikojnë figura të errëta të së kaluarës si Ratko Mladiq, nuk mund të lexohen thjesht si shkrime të pakujdesshme mbi muret e qytetit. Ato janë kambana që bien, dhe pyetja e vërtetë nuk është “për kë bien?”, por “a po dëgjojmë mesazhin e tyre?”.

Enigmatike mbeten duart që i shkruajnë këto mesazhe, por edhe më shqetësuese është heshtja institucionale dhe moszbardhja e autorëve. Pikërisht tani, kur rajoni ka nevojë për qetësi dhe integrim, zgjohen nga gjumi lugatë e së kaluarës – që ushqehen me frikë dhe ndasi.

Historia na mëson se retorika dhe simbolikat e urrejtjes nuk janë kurrë të pafajshme. Ato janë gurët e parë të një rruge që mund të çojë në tensione me përmasa të pariparueshme. Prandaj, është detyrë e secilit prej nesh – qytetarëve, institucioneve, shoqërisë civile e mediave – që këto kambana t’i dëgjojmë si thirrje për veprim, jo si jehonë që shuhet në ajër.

Nëse nuk gjejmë përgjigje dhe zgjidhje, rrezikojmë që Bujanoci të shndërrohet në një poligon tensionesh, ku plagët e së kaluarës rihapen e së ardhmes i vihet dryni. Por nëse tregojmë maturi, guxim dhe solidaritet, këto kambana mund të na kujtojnë se paqja është një e mirë e përbashkët që duhet mbrojtur çdo ditë.

Sepse kambanat, sot, bien për të gjithë ne.