Pajaziti: Ndryshimet në Bujanoc filluan me UÇPMB-në, por u ndalën nga pengmarrësit e pushtetit!

0
213

Postimi i kryetarit të APN-së në Bujanoc Arbër Pajazitit


Për rastësi, hera e parë kur kisha të drejtë vote dhe zgjedhjeje qëlloi të jetë me herën e parë të organizimit politik kombëtar në Komunën e Bujanocit për të marrë pushtetin lokal. Secili shqiptar, secila familje shqiptare u angazhua për të siguruar përfaqësim dhe udhëheqje shqiptare, pas një sakrifice dhe rezistence të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Normalisht, që mungesa e komandant Lleshit – Ridvan Qazimit vërehej dhe u shpreh përmes vullnetit tonë në fitoren bindëse.

Nuk fitoi një njeri, as një parti! Fituan shqiptarët.

Prezenca e faktorit ndërkombëtar ishte një garancion tjetër i madh se fitorja jonë, do të kthente shpresën dhe jetën tek familjet tona, të përvuajtura nga papunësia, diskriminimi e pasiguria.

20 vjet udhëheqje

Thonë se hajdutët, maskarenjtë dhe tradhtarët mund të kenë pushtet, por pushteti i tyre mbetet i tundur, përderisa ka zëra kritikësh e revolucionarësh. Sakaq, këta persona nuk u takojnë njërës apo tjetrës etni, apo religjion. Ata mbeten hajdutë, maskarenjë dhe tradhtarë!

Në këto 20 vjet udhëheqje, shqiptarëve të Bujanocit nuk ju vazhdua entuziazmi për ndryshim, e shpresa për mirëqenie.

Gabriel Laud thoshte: “Çdo pushtet rrjedh nga populli, dhe nuk kthehet kurrë më aty”. Dhe kështu ndodhi në Bujanoc. Pushteti është peng nga dy individë, që kanë emër e mbiemër.

Ka 20 vjet, që këta dy individët përplasen shpesh herë njëri me tjetrin, jo për bindjet politike, apo për zhvillim të mirëqenies sociale, por kush, apo cili vodhi e tradhtoi më shumë shqiptarët?!

Papunësi, nepotizëm në ato pak vende pune, tenderë të orientuar kah njerëzit e afërt, vjedhje në ato pak investime kapitale e shkatërrim i vendeve publike, për këto 20 vjet kanë shuar shpresën e kanë krijuar bindjen për largim tek të rinjtë shqiptarë.

Fati i zi i shqiptarëve në Serbi janë politikanët e stërvjetëruar, që në duar të tyre vazhdojnë të kenë udhëheqjen.

Pikërisht, pas 20 vitesh, e rëndë është t’iu rikthehet shpresa shqiptarëve, e familjeve t’i kthehet gjallëria me bijtë e bijat e tyre të migruar, por ekziston një mundësi!

Tash kur keqpërdoruesit, keqmenaxhuesit, përçarësit e demagogët janë bërë bashkë në një pushtet të kompromiseve, është më e lehtë të jehojë e vërteta dhe dëshira e shqiptarëve të nëpërkëmbur.

Nuk mund të ketë të pushtetshëm tërë jetën. Ata që nuk i përfaqësojnë shqiptarët, duhet të rrëzohen.

Shqiptarët mund të jetojnë në vendin e tyre, duke u mbështetur në historinë e tyre të vërtetë, vetëm atëherë kur marrin në duart e tyre udhëheqjen…